Kantautorja e njohur britanike, Adele, më nuk do të performojë live në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “BRIT”.
Ylli i hitit “Easy On Me” e cila së fundmi e bëri të ditur lajmin e shtyrjes së përkohshëm të koncerteve të saj në Las Vegas, po planifikonte të interpretonte live në skenën e kësaj ceremonie e cila zë vend në arenën O2 të Londrës, më 8 shkurt të këtij viti. Por tani, ajo u ka shkaktuar kokëçarje të madhe organizatorëve pasi u tha se më nuk mund të jetë e pranishme në këtë ngjarje, ani pse është e mundur që të ketë mundësi të performojë për fansat përmes një videolidhjeje.
“Adele e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoni, por tani është tërhequr nga kjo performancë duke u shkaktuar shumë probleme organizatorëve. Ata janë në bisedime e sipër me ekipin e këngëtares për ta shqyrtuar mundësinë e interpretimit përmes një videolidhjeje. Megjithëse anulimi i performancës live në skenë u ka shkaktuar kokëçarje, ata duan me çdo kusht që Adele të jetë e përfshirë në ceremoninë në çfarëdo forme që i konvenon”, citohet të ketë thënë një burim i afërt për gazetën “The Sun”.
Adele po ashtu është e nominuar për katër shpërblime “BRIT”, përfshirë këtu kategorinë kryesore, “Artisti i vitit”, dhe organizatorët po mundohen ta gjejnë dikë për ta pranuar çmimin e saj në rast se fiton.
“Ata po ashtu duhet ta gjejnë dikë që t’i pranojë çmimet e saj, në rast se shpallet fituese. Disa emra të mëdhenj të muzikës tashmë e kanë refuzuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni të tillë si, Sam Smith, Ed Sheeran dhe Dua Lipa, të cilët konkurrojnë me Adelen në kategorinë ‘Artisti i vitit’. Organizatorët po ashtu i kanë bërë ftesë për të peformuar reperit Stormzy, dhe po shpresojnë ta bindin që të marrë pjesë në ceremoninë e ardhshme”.
Besohet se pop ylli 33-vjeçar është tërhequr nga ceremonia “BRIT”, për shkak se ekipi i saj brengoseshin që kjo pjesëmarrje do të shkaktonte pakënaqësi tek fansat e saj amerikanë, si pasojë e shtyrjes në minutë të fundit të koncerteve në Las Vegas. Megjithëse u ka kërkuar falje fansave përmes një videoje emocionale të postuar në Instagram, këngëtarja frikësohet që reagimet nga publiku do të jenë të ashpra nëse vendos të interpretojë në “BRIT Awards”, pak kohë pas anulimit të performancave të shumëpritura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Adele konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.