Këngëtari, Jon Batiste, ishte ndër fituesit kryesor të ceremonisë së sivjetme të ndarjes së shpërblimeve muzikore, “Grammy”.
Batiste i fitoi gjithsej 5 trofe në ceremoninë e së dielës, e cila për herë të parë u mbajt në Las Vegas, përfshirë këtu çmimet “Albumi më i mirë“ për albumin e tij të fundit, “We Are”, “Videoklipi më i mirë” për hitin “Freedom”, dhe “Kënga më e mirë amerikane” për hitin “Cry”, raportoi të hënën agjencia e lajmeve AP.
Dyshja e njohur e muzikës, “Silk Sonic”, e fitoi çmimin “Incizimi më i mirë i vitit” dhe “Kënga më e mirë”. Këngëtari Bruno Mars dhe reperi Anderson Paak, të cilët e përbëjnë grupin e muzikës R&B, ishin të pranishëm në ceremoni për t’i pranuar çmimet e tyre.
Pop këngëtarja amerikane, Olivia Rodrigo, i fitoi gjithsej tri shpërblime në kategoritë, “Artistja më e mirë e re”, “Albumi më i mirë pop” për albumin “Sour”, dhe “Performanca më e mirë pop” për hitin e padiskutueshëm “Drivers Licence”. Rodrigo u bë e famshme për publikun në vitin 2021 me lansimin e këngës “Drivers Licence”, e cila i dominoi toplistat muzikore me javë të tëra dhe më pas lansimin e një tjetër hiti të titulluar, “Good 4 U”.
Me dy shpërblime gjatë mbrëmjes u vlerësua reperi, Kanye West, i cili nuk qe i pranishëm në sallë për t’i pranuar ato. Ye ishte planifikuar edhe të performonte të dielën mbrëma, por iu mohua pjesëmarrja në “Grammy” për shkak të postimeve të çuditshme në Instagram, çka i bëri organizatorët të kenë frikë për shëndetin e tij mendor.
Megjithëkëtë, West triumfoi në kategoritë, “Kënga më e mirë rep” për hitin “Jail” dhe “Performanca më e mirë rep” për bashkëpunimin e tij me yjet e muzikës, The Weeknd dhe Lil Baby, “Hurricane”.
Sa i takon zhanrit country, fituesi kryesor i mbrëmjes ishte këngëtari Chris Stapleton. Ai i fitoi gjithsej 3 çmime “Grammy” në kategoritë, “Albumi më i mirë”, “Kënga më e mirë country” dhe “Performanca më e mirë e muzikës country”.
Çmimi “Albumi më i mirë R&B” shkoi për artisten, Jazmine Sillivan, kurse Alex Cuba u shpërblye në kategorinë “Albumi më i mirë latin”.
Rok bendi “Foo Fighters” i cili e anuloi pjesëmarrjen në ceremoninë e së dielës, për shkak të vdekjes së papritur të bateristit të grupit, Taylor Hawkings, u shpall fitues i çmimit “Albumi më i mirë rok”.
Ceremoninë e sivjetme “Grammy” e karakterizuan edhe performancat e yjeve të muzikës, të tillë si” Billie Eilish dhe Finneas, grupi i muzikës K-Pop, “BTS”, Lady Gaga, Lil Nas X dhe Jack Harlow, Olivia Rodrigo, “Silk Sonic” dhe të tjerë.