Bill Murray foli publikisht për akuzat ndaj tij për sjellje të pahijshme
Foto: AP/Associated Press
Ylli i njohur i hollywoodit, Bill Murray, ka folur hapur për akuzat ndaj tij për sjellje të pahijshme në sheshin e xhirimeve. Besohet se për shkak të kësaj ngjarjeje, puna rreth filmit të ardhshëm “Being Mortal”, është pezulluar për kohë të pacaktuar, raportoi të hënën portali “NME”.
Me filmin “Being Mortal”, aktori komik Aziz Ansari e shënon debutimin regjisorial, por realizimi i projektit është ndërprerë në gjysmë muajin e kaluar, pasi një grua u ankua ndaj aktorit Murray dhe tani studioja “Searchlight Pictures” i ka filluar hetimet rreth rastit.
“Kisha një keqkuptim me një kolege timen. Unë bëra diçka që mendova se ishte qesharake, por veprimi im nuk u pranua në atë mënyrë. Studioja prapa filmit dëshironte të veprojë në mënyrën e duhur. Ata vendosën ta ndërpresin realizimin e projektit për t’i shqyrtuar rrethanat me kujdes”, deklaroi Murray për kanalin “CNBC”, teksa e shpjegoi incidentin.
Aktori veteran tha se ky incident ka qenë mjaft edukativ për të.
“Bota sot është ndryshe nga koha kur unë isha fëmijë. Ajo që unë mendoja se është qesharake, nuk konsiderohet më humor. Gjërat ndryshojnë me kohën, prandaj është e rëndësishme për mua ta mësojë këtë fakt. Nuk dua të jem një person i cili nuk mund të mësojë gjërat të reja. Ky nuk është qëllimi im”.
Sipas aktorit, ai dhe gruaja e paidentifikuar për publikun, janë në bisedime e sipër dhe po provojnë të gjejnë paqe me njëri-tjetrin.
“Mendoj se problemi i vërtetë është mes raportit tonë. Që të dy jemi njerëz profesional, e pëlqejmë punën e njëri-tjetrit dhe mendoj se e pëlqejmë edhe njëri-tjetrin gjithashtu. Nëse nuk kalon mirë me kolegë dhe kur nuk ka besim mes tyre, atëherë nuk ja vlen të vazhdohet puna me ta apo të realizohet një film së bashku. Por, unë mendoj se ne do ta arrijmë të bëjmë paqe me njëri-tjetrin. Jam shumë optimist për këtë gjë”, tha Murray.
“Being Mortal” ishte në gjysmë të përfundimit të xhirimeve, në kohën kur ndodhi incidenti në fjalë. Filmi planifikohej të lansohej në vitin 2023, por besohet se do të ketë pak vonesa pasi studioja “Searchlight Pictures” ende nuk ka bërë të ditur se kur do të rifillojnë xhirimet e tij.