Kim Kardashian e befasuar që është pjesë e ballinës së revistës “Sports Illustrated”
Ylli televiziv, Kim Kardashian, nuk kishte menduar kurrë se do të përfshihej në ballinën e revistës “Sports Illustrated”, raportoi të martën portali “Female”.
Bukuroshja 41-vjeçare u fotografua e veshur me një palë rroba banje të brendit të themeluar nga ajo, “SKIMS”, në njërën prej katër ballinave të krijuara për numrin e ri të revistës së famshme e cila ndër vite i ka sjell disa prej fotografive më të bukura dhe më provokative të yjeve të showbizit.
Në intervistën e realizuar për këtë revistë, Kardashian e pranoi se i duket një çmenduri që i është kërkuar të pozojë për “Sports Illustrated”, sidomos tani që është në moshë më të pjekur.
“Më kujtohet shumë mirë kur Tyra Banks e hijeshoi balllinën e kësaj reviste duke i ekspozuar format trupore të një gruaje më ndryshe nga modelet që ishim mësuar t’i shohim zakonisht duke pozuar për revistat tjera. Më kujtohet që qysh atëherë mu duk një veprim shumë ‘cool’. Por, sërish mendoja se duhet të jesh modele profesionale për të qenë pjesë e kësaj balline. Gjithmonë shihja të përfshiheshin në të vajza të reja. Nuk dua ta portretizoj veten si grua të moshuar, por për mua kjo po ndodhë në një moshë pak më të shtyrë dhe më duket një çmenduri e vërtetë. Asnjëherë nuk e kisha menduar se do të pozoja për ‘Sports Illustrated’”.
Tutje në intervistë, afaristja miliardere Kim Kardashians, që i ka fëmijët North, Saint, Chicago dhe Psalm me ish-bashkëshortin, Kanye West, e shkroi një letër dedikuar vetes në moshë të re, ku foli për atë se sa është rritur dhe sa ka ndryshuar si njeri.
"Është e lehtë të të thonë ‘thjesht injoroi kritikat’, por një gjë tjetër që do të mësosh është se, në një moment do ta kuptosh se jo gjithçka në jetë ka të bëjë me ty. Rëndësi ka familja. Dhe e rëndësishme është që t’i ndihmosh njerëzit tjerë. Me vite të tëra ti do ta ekspozosh veten në publik por me kalimin e vjetëve do të bëhesh person më privat dhe do ta kuptosh se mënyra për ta treguar historinë tënde, atë që ka ndodhur realisht dhe të vërtetën tënde, nuk është duke u angazhuar por duke vepruar”, deklaroi Kardashian.
Tutje, Kim ia kujtoi vetes se ende nuk i ka arritur të gjitha synimet në jetë, sepse ajo gjithmonë kërkon të përjetojë gjëra dhe aventura të reja.
Kim Kardashian është njëra nga katër modelet e përfshira në ballinë e numrit të ri të revistës “Sports Illustarted”, duke iu bashkuar personaliteteve të famshme si këngëtarja Ciara, modelja Yumi Nu dhe aktivistja Maye Musk.