“Cha Cha Real Smooth” filmi i ri i aktores Dakota Johnson
Foto: AP/Associated Press
Ylli hollywoodian, Dakota Johnson, do t’i shfaqë aftësitë e një nëne beqare në filmin e saj të ri me titull, “Cha Cha Real Smooth”. Derisa në të kaluarën aktorja e ka portretizuar një nënë në filmin e vitit 2011, “The Lost Daughter”, kësaj radhe ajo kujdeset për një vajzë tinejxherë me autizëm.
Filmi premierën botërore e shënoi në festivalin ndërkombëtar të filmit “Sundance”, ku mori vlerësime të larta nga kritikët të cilët e quajtën një projekt me plot humor dhe të kapshëm për publikun, raporton portali “Bazaar”.
Tashmë janë publikuar pamjet e para të filmit i cili e rrëfen historinë e një 22-vjeѯari të quajtur, Andrew. Ai është një i ri i cili sapo e ka përfunduar kolegjin dhe e gjen veten duke u rikthyer për të jetuar me prindërit. Duke mos pasur ide se si duhet të duket jeta e tij në të ardhmen, Andrew vendos të fokusohet në të vetmen gjë që di ta bëjë më së miri, që është ndezja e atmosferës nëpër ndeja. Në një ngjarje familjare ai e takon një vajzë tinejxherë me autizëm, Lola dhe nënë e saj, Domino dhe gradualisht përfundon duke krijuar shoqëri me to, madje edhe duke rënë në dashuri me nënë e sapo fejuar.
Projekti i ardhshëm kinematografik vjen me regji dhe skenar të shkruar nga Cooper Raiff i cili po ashtu e luanë rolin e protagonistit, Andrew. Krahas tij dhe Johnsonit, në film luajnë edhe yjet, Leslie Mann, Brad Garrett, Odeya Rush, Raúl Castillo dhe Colton Osorio.
“Cha Cha Real Smooth” lansihet nëpër kinema dhe në platformën “Apple TV+” më 17 qershor të këtij viti.