Premiera e filmit romantik “Something From Tiffany’s”

Reese Witherspoon thotë se një film pozitiv dhe argëtues mund t’i bëjë mirë njerëzve herë pas here.
Aktorja e famshme hollywoodiane ishte e pranishme në premierën e filmit të ri, “Something From Tiffany’s” në Los Angeles, por kësaj radhe si producente e projektit.
Për gazetarët e pranishëm ajo deklaroi se ekipi realizues prapa këtij filmi ka dashur që ai të jetë një komedi klasike romantike.
“E dini, në këtë botë, mendoj se kemi nevojë për pak pozitivitet dhe pak argëtim. Dhe ku ka më mirë se romanca në kohën e Krishtlindjeve, me njerëz të bukur që qeshin dhe argëtohen? Është thjesht një rikthim në filmat që ne të gjithë i duam, filmat e Nora Ephronit dhe Nancy Meyersit. Thjesht, ky film e ka atë ndjesinë e mirë”.
Edhe aktorja, Shay Mitchell, duket se e ndanë të njëjtin mendim me Witherspoonin.
“Është një ndjenjë e mirë. Unë mendoj se këtë kohë, të gjithë kemi nevojë për një film të tillë. Thjeshtë, është një projekt i lehtë dhe argëtues të cilin mund ta shikoni me këdo”.
Në anën tjetër, Zoey Deutch, e cila në film e luan rolin protagonist, tha se ka mësuar shumë nga kasta dhe ekipi i këtij projekti.
“Ajo që për mua ishte përtej mbresëlënëse, është fakti se ky ishte sheshi i xhirimeve më efikas në të cilin kam punuar ndonjëherë. Një nga gjërat që mësova dhe më pëlqen aq shumë për ta si ekip, është që nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon, ti inkurajohesh që menjëherë ta caktosh një takim me realizatorët e filmit për ta kuptuar dhe për ta zgjidhur problemin në fjalë. Pra, asgjë nuk mbetet pa u thënë dhe pa u rregulluar. Ky produksion i kushtonte vëmendje çdo hollësie dhe atë në një nivel që ishte kaq mbresëlënës. Njerëzit që punojnë aty thjesht e praktikojnë atë që e predikojnë. Ato janë gra kaq të mrekullueshme. Madje, kam filluar të bindem që të fillojë të punoj atje”, tha Zoey duke bërë shaka.
“Po. Dua të them, gjëja më e mirë rreth punës sonë është se njerëzit me të cilët punojmë janë kaq të emocionuar për faktin se janë në shesh të xhirimit, sepse të gjithë e kuptojmë se është një privilegj të jesh pjesë e filmave në këtë botë, si dhe të jesh tregimtarë. Në kompaninë tonë po argëtohemi shumë mirë duke i vendosur gratë në qendër të tregimeve dhe duke bashkëpunuar me talente të jashtëzakonshëm”, përfundoi Witherspoon.
Filmi bazohet në romanin romantik të autores Melissa Hill. Ai e rrëfen historinë e dy personave të panjohur, Rachel, e cila ka ngecur në një lidhje me të cilën nuk është gati të angazhohet dhe, Ethan, i cili është gati të ndërmarrë hapin tjetër dhe t’i propozojë të dashurës së tij aktuale. Ata të dy përfundojnë duke u takuar falë një kthese të fatit. Rrugët e tyre kryqëzohen kur i dashuri i Rachelit ia blen asaj disa vathë në dyqanin ikonik të diamanteve, “Tiffany’s”, në të njëjtën ditë që Ethan e blen një unazë fejese aty. Gjithçka komplikohet kur dhuratat për të dashurat e tyre ngatërrohen. Kur Rachel dhe Ethan takohen për t’i shkëmbyer dhuratat, ata fillojnë ta vënë në dyshim gjithçka që mendonin se dinin për lidhjet me partnerët e tyre. Rastësish, ata përfundojnë duke e gjetur personin e jetës.
“Something From Tiffany’s” fillon së shfaquri në platformën “Prime Video” më 9 dhjetor 2023.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.