Vetëm tre muaj pasi u diagnostikua me limfomën jo-Hodgkin, Jane Fonda ka njoftuar se kanceri i saj ka nisur të zhduket dhe se ajo do të ndalojë trajtimin me kimioterapi.
Aktorja dhe aktivistja dy herë fituese e Oskarit e cila mbush 85 vjeç javën e ardhshme i përditësoi fansat e saj lidhur me gjendjen e saj shëndetësore në një postim në blog me titull “Dhurata më e mirë për ditëlindjen ndonjëherë!!!”
"Javën e kaluar onkologu im më tha se kanceri është në zhdukje dhe mund ta ndërpres kimioterapinë," shkroi ajo në faqen e saj të internetit, duke shtuar "Ndihem kaq e bekuar, kaq me fat".
Ylli i "Barbarella" dhe "Monster-in-Law" vazhdoi duke falënderuar ata që u lutën për të dhe i dërguan urime të mira.
Sipas Fondas, katër seancat e saj të para të kimioterapisë ishin "mjaft të lehta", por trajtimi i saj më i fundit ishte "i ashpër" dhe zgjati për dy javë, "duke e bërë të vështirë arritjen e shumë gjërave".
Fonda, e cila më parë u zotua të mos lejonte që diagnoza e saj "të ndërhynte në aktivizmin e saj klimatik", tha se efektet anësore të trajtimit të saj u zhdukën pikërisht në kohën që ajo të merrte pjesë në një tubim në Washington.
Ylli i serialit televiziv të Netflix "Grace and Frankie" zbuloi fillimisht se ishte diagnostikuar me limfomën jo-Hodgkin, një kancer që zhvillohet në sistemin limfatik, në një postim në rrjetet sociale në shtator.
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, limfoma jo-Hodgkin është një nga kanceret më të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, duke përbërë rreth 4 për qind të kancereve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.