Rita Ora e ka konfirmuar martesën e saj me Taika Waititin.
Këngëtarja kosovare me famë botërore, ka folur të premten në Heart Radio Breakfast, ku e ka pranuar se tashmë është e martuar me regjisorin hollivudian.
“Po jam martuar. Zgjodha ta mbaja këtë sa më private dhe për vete”, është shprehur këngëtarja 32-vjeçare, teksa ishte ftuar në emision për ta promovuar këngën e saj më të re ku flet për një martesë, të titulluar “You Only Love Me”.
Ajo e ka quajtur ditën e martesës “perfekte”.
“Ishte saktësisht ashtu siç doja”, është shprehur ajo.
E pyetur nëse do ta marrë mbiemrin e bashkëshortit, Rita ka thënë se nuk e di ende se çfarë do të bëjë, pasi siç është shprehur, ka punuar shumë për mbiemrin që ka.
“Kam menduar për ta marrë mbiemrin e tij, mirëpo unë kam punuar shumë për mbiemrin Ora. Nuk e di... Nuk kam vendosur ende”, ka deklaruar Rita.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.