“The Flash” e sjell në ekran edhe aktorin Nicolas Cage
Regjisori i filmit “The Flash”, Andy Muschietti, e ka zbuluar një detaj të rëndësishëm rreth projektit të ardhshëm.
Së fundmi ishte bërë e ditur se në filmin e bazuar në superheronjtë e librave komik “DC”, do të përfshiheshin dy Batman, njëri i portretizuar nga Michael Keaton dhe tjetri nga Ben Affleck. Por tani, Muschietti ka zbuluar se aktori tjetër i Hollywoodit, Nicolas Cage, do të ketë po ashtu një rol të vogël me ç’rast e portretizon Supermanin.
“Nicolas ishte absolutisht i mrekullueshëm. Ai është një adhurues i madh i superheroit Superman dhe një fanatik i librave komik. Edhe pse roli i tij në filmin tonë ishte i vogël, ai e dha maksimumin për ta sjell një performancë të bukur. Unë kam ëndërruar gjithë jetë që të punojë me të në një film dhe shpresoj se do të më jepet rasti ta bëjë sërish këtë”, deklaroi regjisori për revistën “Esquire”.
Cage ishte planifikuar të luajë në filmin e anuluar të viteve ‘90 të Tim Burtonit, i cili fokusohej në botën e superheronjëve, “Superman Lives”. Sipas aktorit, projekti në fjalë ishte anuluar pasi studioja “Warner Bros” humbi shumë para të investuara në filmin e vitit 1996 të regjisorit Tim Burton, “Mars Attacks”.
Filmi “The Flash” e rikthen në ekran të madh aktorin Ezra Miller në rolin e Barry Allenit, ndryshe i njohur si The Flash. Ngjarja e këtij projekti fokusohet në kryepersonazhin, i cili vendos të udhëtojë në kohë për ta parandaluar vrasjen e nënës së tij, por padashje shkakton ndryshime të cilat rezultojnë në krijimin e një multiversi. Kështu, ai ngecë në kohë dhe i duhet ta bëjë të pamundurën t’i luftojë armiqtë, vetëm se kësaj radhe pa ndihmën e shokëve të tij superheronj. Në filmin e ardhshëm, fansat e librave komik “DC” do të njihen edhe me një personazh të ri, Kara Danvers apo Supergirl, e cila vjen e portretizuar nga aktorja Sasha Calle.
“The Flash” fillon së shfaquri nëpër kinematë botërore nga 16 qershori.