Në një intervistë të fundit, kantautorja e njohur australiane, Sia, ka zbuluar se është diagnostikuar me autizëm.
Gjatë bisedës me prezantuesit, Rob Cesternino dhe Carolyn Wiger, në podcasting “Rob Has A Podcast”, këngëtarja tregoi se po përballet me disa probleme specifike të sjelljes dhe zhvillimit, sfida këto që lidhen me çrregullimin e spektrit të autizmit, por është duke u rikuperuar.
Ndërsa Sia nuk tregoi në mënyrë specifike kur u diagnostikua, ajo aludoi se ishte një zhvillim i këtyre dy vjetëve të fundit: “Për 45 vjet unë nuk ndihesha vetvetja, por vetëm në këto dy vjetët e fundit kam filluar të jetoj si një person plotësisht autentik”.
Carolyn Wiger, një këshilltare droge dhe ish-konkurrente në emisionin “Survivor 44”, e falënderoi Sian që u tregua e sinqertë dhe e hapur për situatën e saj, të cilës këngëtarja iu përgjigj: “Duke qenë në rikuperim dhe gjithashtu duke e ditur se çfarë lloj problemi neurologjik mund ta kem si pasojë e kësaj diagnoze, më ka ndihmuar ta kuptoj se një nga gjërat më të rëndësishme dhe vërteta në jetë është se askush nuk mund të të njohë dhe të të dashurojë kur je e mbushur me sekrete dhe jeton në turp”.
Sia gjithashtu foli për trajtimet për abuzimin e substancave, duke thënë: “Kur më në fund ulemi në një dhomë plot me njerëz të huaj dhe u tregojmë atyre sekretet tona më të thella, më të errëta, më të turpshme dhe të gjithë qeshin së bashku me ne, dhe ne nuk ndihemi si copa plehrash për herë të parë në jetën tonë, por ndihemi të vlerësuar dhe pranuar për atë që jemi në të vërtetë, vetëm atëherë mund të fillojmë të dalim në botë dhe të veprojmë si njerëz të thjeshtë”.
Në vitin 2021, Sia u kritikua për debutimin e saj regjisorial me filmin “Music”, në të cilin Maddie Ziegler e portretizon një adoleshente autike e cila nuk flet. Sia shkaktoi polemika në publik me vendimin e saj për ta zgjedhur Zieglerin, e cili nuk është në spektrin e autizmit, që ta luaj këtë rol.
Në internet filloi një peticion që synonte të anulonte premierën e filmit për shkak të “portretizimit të pasaktë dhe lëndues të komunitetit të autistëve”.
Duke iu drejtuar kritikave të përhapura, Sia i kërkoi falje komunitetit dhe tha se një mesazh paralajmërues do të vendoset në ekran të madh përpara shfaqjeve të ardhshme të filmit “Music”.