Pas një takimi që e kanë zhvilluar të mërkurën, skenaristët dhe prodhuesit e filmave në Hollywood janë pranë një marrëveshjeje për t'i dhënë fund grevës që ka nisur para më shumë se tre muajsh.
Sipas burimeve palët shpresojnë të finalizojnë një marrëveshje të enjten, shkruan CNBC.
Këto burime janë shprehur optimistë për një marrëveshje, por kanë thënë se nëse ajo dështon të arrihet atëherë greva mund të zgjasë deri në fund të vitit.
Të mërkurën mbrëma grevistët dhe Aleanca e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit, në një deklaratë të përbashkët kanë bërë të ditur se janë takuar për të diskutuar lidhur me një marrëveshje dhe se do të takohen përsëri të enjten.
“Pas takimit ballë për ballë sot, skenaristët dhe prodhuesit janë pranë marrëveshjes për t'i dhënë fund grevës. U takuan sot dhe shpresojnë të finalizojnë marrëveshjen nesër. Personat e afërt me zhvillimet, të cilët, edhe pse optimistë, paralajmërojnë se nëse nuk ka marrëveshje nesër greva mund të vazhdojë deri në fund të vitit”, ka shkruar të mërkurën gazetari amerikan, David Faber në rrjetin social “X”, ish-twitter.
Greva në Hollywood ka nisur më shumë se 100 ditë më parë dhe prodhimi i filmave dhe shfaqjeve televizive është bllokuar.
Prodhimi është ndalur për disa shfaqje dhe filma të profilit të lartë, duke përfshirë Netflix, Disney, Marvel dhe Paramountit.
Më parë gjatë javës, sindikata e skenaristëve kishte bërë të ditur se do të riniste negociatat me studiot e prodhimit.
Skenaristët dhe aktorët po kërkojnë që gjigantët e transmetimit të bien dakord për një ndarje më të drejtë të fitimeve dhe kushte më të mira të punës. Ata gjithashtu po kërkojnë garanci që inteligjenca artificiale dhe fytyrat e zërat e krijuar nga kompjuteri nuk do të përdoren për t’i zëvendësuar aktorët. (Përgatiti Vita Abrashi-Kajtazi)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.