Këngëtarja e njohur amerikane, Taylor Swift, ka nxitur më shumë se 35 mijë qytetarë që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuar.
Ajo me anë të një postimi në Instagram ka pyetur fansat nëse kanë shkuar për t’u regjistruar.
“Jam me fat që ju kam parë në numër të madh shumë prej jush në koncertet e mia në SHBA kohët e fundit. Ju kam dëgjuar teksa ngrinit zërin dhe e di se sa i fuqishëm është. Sigurohuni që të jeni gati ta përdorni zërin edhe në zgjedhjet tona!”, ka shkruar Swift.
Këngëtarja e famshme ka pasur ndikim tek 272 milionë ndjekësit e saj pasi 35 mijë njerëz kanë shkuar menjëherë për t’u regjistruar për të votuar.
Mesazhin e yllit mediumi “CBS news” e ka quajtur si shumë të suksesshëm. Për faqen “vote.org” bëhet fjalë për rekord. Mesatarisht kjo faqe ka pasur nga rreth 13 mijë regjistrues çdo gjysmë ore pas postimit të Swiftit.
Drejtori i komunikimit i kësaj uebfaqeje, Nick Marrow ka thurur lavde për Swiftin në Twitter.
“Le të themi se reputacioni i saj për të qenë organizatore është shumë i rëndësishëm”, ka shkruar Morrow.
“Vote.org” regjistroi më shumë se 35,000 votues në ditën kur Swifti bëri postimin, ka thënë të mërkurën shefja e organizatës, Andrea Hailey. Pati një rritje prej 115% të regjistrimeve nga 18-vjeçarët krahasuar me vitin e kaluar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.