Vajza e yllit Robin Williams është nervozuar shumë pasi është përdorur inteligjenca artificiale për të rikrijuar zërin e babait të sak.
Zelda që është vet aktore, regjisore e skenariste ka ngritur zërin kundër përdorimit të IA për të rikrijuar zërat e aktorëve duke e quajtur teknologjinë “monstrumi Frankenshtajnian”. Kjo ndodhi pasi ajo e zbuloi se teknologjia është përdorur për të imituar zërin e babait të saj që ka vdekur pothuajse një dekadë më herët, ka shkruar FemaleFirst.
Ajo gjithashtu ka treguar mbështetjen e saj për grevën që tashmë ka marrë fund në Hollywood, që kishte për qëllim mospërdorimin e IA për të bërë gjëra tilla.
Ajo shprehi “mllefin” që po ndjente në rrjetin social instagram.
"Unë nuk jam një zë i paanshëm në luftën e aktorëve e skenaristëve kundër IA. Kam dëshmuar prej vitesh se si njerëzit duan t'i trajnojnë këto modele të teknologjisë për të krijuar/rikrijuar aktorë që nuk mund të japin pëlqimin e tyre në lidhje me këtë, si babi im tani për shembull”, ka shkruar Zelda.
Zelda gjithashtu duke përkrahur grevën tha se aktorët e gjallë meritojnë një shans për të krijuar personazhe me zgjedhjet e tyre, për të shprehur krijimtarinë në karakteret e tyre, për të vënë përpjekjet e tyre njerëzore në ndjekjen e performancës.
“Këto rekreacione janë, në maksimum, një faksimil i varfër e njerëzve më të mëdhenj, por në rastin më të keq, një përbindësh i tmerrshëm frankenshtajnian, i lidhur së bashku nga pjesët më të këqija të gjithçkaje që është kjo industri, në vend të asaj që duhet të përfaqësojë", ka shkruar më tutje ajo.
Greva e skenaristëve e aktorëve (WGA) filloi në maj për të kundërshtuar përdorimin e IA dhe për paga më të mira për ta. Tani zyrtarisht mori fund pasi u arrit një marrëveshje me Aleancën e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit (AMPTP), megjithatë, veprimi industrial nga SAG-AFTRA mbetet në vazhdim deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Komentet e Zeldas rreth përdorimit të IA në zërin e babait të saj vijnë pasi u zbulua se aktori i ndjerë do të dëgjohet përsëri në ekran pasi zëri i tij do të paraqitet në projektin e shkurtër të Disney “Once Upon a Studio”.
Ai do të paraqitet si personazhi i tij Xhindi në filmin “Aladdin”, duke përdorur dialogun e padëgjuar më parë që u regjistrua para vdekjes së tij në vitin 2014 në moshën 63-vjeçare. Besohet se të dhënat po përdoren me pëlqimin e gjendjes civile të Robinit.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.