Shtojca për Kulturë

Teoria semiotike e rrëfimit

Jo një herë, Eco – që nuk sjell definicione në trajtë cirkulare, por vendos pika në çështje të rëndësishme që lidhen me semiotikën e tekstit letrar – do të përkufizojë se teksti është një makinë e krijuar për nxjerrjen apo reflektimin e interpretimeve. Ky, teksti pra, i përkufizuar si makinë për prodhimin e kuptimeve, do ta ketë si qëllim prodhimin e lexuesit model dhe ky i fundit prodhimin e pakufishëm të kuptimeve.

Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, para së gjithash, është përgatitje për të hyrë në botën e rrëfimit. Meqë kjo botë, e përbërë nga ngjarjet dhe personazhet, nuk ia del asnjëherë që ta shprehë tërësinë, në procesin konstituiv të saj kërkohet një aktant që do ta përplotësojë. Ky është lexuesi, i cili mbush hapësirat eliptike të tekstit, duke u kthyer kësisoj në bashkëpunëtor të ngushtë të autorit. Pylli i Ecos shenjëzon tekstin tregimtar. Ky pyll degëzohet në mijëra shtigje, kahen e të cilave e vendos secili lexues ndryshe nga tjetri, varësisht pikënisjes së caktuar dhe pikëmbërritjes së synuar. Jemi brenda pyllit, pra universit rrëfimor. Të stivuar tani do t’i gjejmë elementët përbërës të tij, duke nisur nga më i rëndësishmi: apertativiteti. Vepra letrare është e hapur, apo – nëse do të manovronim me konceptet e R. Bartit – e shkrueshme. Ajo asnjëherë nuk i thotë – dhe as nuk duhet t’i thotë – të gjitha: është një makinë dembele në lëvizjen e së cilës lexuesi luan rol kyç. Këtu nuk lipset një lexues empirik, por një lexues model. I pari nuk diktohet nga asnjë ligj a premisë udhëzuese gjatë leximit, ndërkaq i dyti është opozitari i tij. Ai bën anatomizimin e tekstit përmes një leximi të hollë, të afërt dhe të përsëritur në kohë, duke e parë këtë si të vetmen rrugë për hetimin e teknikave të shkrimit, që është shteg edhe për detektimin e mënyrës së krijimit të universit narrativ. Kështu, lexuesi – nëse do ta vazhdonim gjuhën e metaforizuar të Ecos – pyllëzon hapësirën e pafundme semantike duke dekoduar sistemin e shenjave e kodeve.