Shtojca për Kulturë

Disa shtete fqinje me shtande në Panairin e Kajros, Kosova me një libër

Posteri i botuesit në arabisht të romanit “Përtej binarëve” të Ibrahim Kadriut, që do të prezantohet në Panairin e Librit në Kajro
 

Për shkak të pandemisë së COVID-19, shumë panaire të librit nuk u hapën vitin e kaluar, e ndër to edhe Panairi Ndërkombëtar i Librit në Kajro, i cili konsiderohet si panairi më i madh i librit në botën arabe. Ndaj, sivjet është interesim i madh për këtë panair, i cili qe shtyrë prej dimrit në verë, duke e caktuar hapjen më 30 qershor.

Në këtë panair marrin pjesë qindra shtëpi botuese arabe, evropiane e aziatike. Sivjet, shumë vende evropiane përfaqësohen me nga një shtand të vetin, kurse Kosova përfaqësohet vetëm me një roman të shkrimtarit tonë Ibrahim Kadriu, përkatësisht “Përtej binarëve”, i cili më 2020 doli në arabisht në përkthim të Ibrahim Fadlullahut, në botim të shtëpisë botuese jordaneze “Al-Aan”, në bashkëpunim me Institutin për Studime Orientale (ISO) në Prishtinë. Vlen të përmendet si roman që u prit mirë dhe prezantua në disa vështrime në shtypin arab.