Shtojca për Kulturë

Dëshmi e ekzistencës së gjuhëve – lidhja midis fjalës e kuptimit

Ferdinand de Saussaure: “Gjuha nuk është e lirë, sepse koha do t’u lejojë forcave shoqërore që veprojnë mbi të, t’i zhvillojnë efektet e tyre. Arrijmë kështu te parimi i vazhdimësisë, i cili e anulon lirinë. Por, vazhdimësia implikon domosdo ndryshimin, zhvendosjen pak a shumë të konsiderueshme të raporteve”

Emërtimet arbitrare

 

Shtjellimi deskriptiv i konceptit të shenjës gjuhësore (fjalës) është realizuar shkencërisht nga semiologu francez, Ferdinand de Saussaure, i cili e sqaroi qartë lidhjen arbitrare mes një fjale dhe kuptimit të saj. Dëshmi për këtë është ekzistenca e gjuhëve të ndryshme, ku i njëjti koncept ka emërtime krejt të dalluara. Por, nëse do të kishte arbitraritet të plotë, në atë masë sa folësit t’u jepnin gjërave emrin sipas qejfeve, motiveve personale, do të ndodhte një kaos në gjuhë dhe nuk do të mund të kishte konsensus e as komunikim mes folësve

Emërtimet arbitrare

Deri në fillim të shekullit XX ka pasur shkolla natyraliste të cilat kanë përkrahur mundësinë e lidhjes natyrore mes formës dhe kuptimit, me mendimin se fjalët imitojnë cilësi të caktuara të veprimtarisë. Mbështetësit e natyralizmit pretendonin se ka bashkëlidhje dhe përshtatje të brendshme mes tingujve konstituivë dhe kuptimit (simbolizmi tingullor), bazuar te një numër relativisht i vogël fjalësh. Megjithatë, shumica e fjalëve kanë përbërje tingullore të palidhur natyrshëm me kuptimin, janë produkt konvencionesh. Për shembull lind pyetja: A ka ndonjë shpjegim të arsyeshëm pse koncepti fustan shprehet me etiketimin vokal fonemor: f+u+s+t+a+n? Në fakt, s’ka kurrfarë motivi. I njëjti koncept mund të emërtohet në mënyra të ndryshme, madje krejt të dallueshme. Për shembull shqip: dashuri anglisht: love, gjermanisht liebe, spanjisht: amor e të tjera – që do të thotë se zgjedhja e emërtimit është arbitrare.