Shtojca për Kulturë

Metaforat s’janë vetëm për shkrimtarë

Nëse gjuha do të përdorej thjesht me kuptime të drejtpërdrejta, do të dilte shumë e ngurtë, pa mekanizma shprehës, nuk do të zgjonte ndonjë imagjinatë dhe do të ishte jofleksibile (Foto: Driton Paqarada\KOHA)

Është konsideruar si “mbretëresha e figurave” qysh në antikitet dhe për shumë kohë është definuar vetëm si mekanizëm i imagjinatës poetike e letrare, mjet shprehës për efekt retorik e pjesë e gjuhës së pazakonshme, që përdoret për ta mbushur edhe pjesën e dekorimit stilistik, domethënë si kalim nga kuptimi i drejtpërdrejtë në kuptim të figurshëm për qëllime të organizimit të gjuhës sipas shijeve stilistike të autorit

Orientimi i përgjithshëm i studiuesve lidhur me metaforën deri në fund të shekullit XX ka qenë kryesisht nën definimin se ajo është një figurë letrare e njerëzve “kreativë” dhe jo gjithkush e ka zotësinë që ta përdorë. Por, konstruktet ndjek ëndrrën, u nxeh (u bë nervoz), e kap kuptimin, luftoj për dashuri, buzëqesh fati, më ra pika, u ngrit temperatura denotojnë veprime konkrete të lidhura metaforikisht me emra abstraktë, e megjithatë përdoren aktivisht edhe tek individët që s’lexojnë romane e s’kanë njohuri për letërsinë. Metaforat e tilla janë realizuar duke e krahasuar dukshmërinë e gjërave konkrete në ndërlidhje me koncepte të padukshme. Semantikisht duken të natyrshme dhe nuk shkakton aspak hamendje qartësia kuptimore. Ato kanë fituar një shpeshtësi përdorimi, e në njëfarë mënyre u ka humbur “shkëlqimi” poetik, sepse janë literalizuar, përdoren dhe merren vesh konvencionalisht nga të gjithë folësit e shqipes. Këtu vërehen potencialet semantike të metaforës. Kontribut të çmuar për ta kundruar metaforën si pjesë të përditshmërisë dhe të kognicionit kanë dhënë George Lakoff dhe Mark Johnson me librin “Metaphors we live by”.

Nëse do të përkrahej drejtimi pozitivist se përmes gjuhës realiteti është i përshkrueshëm drejtpërdrejt, qartë dhe pa ambiguitet, atëherë përdorimi i figurshëm e kreativ do të konsiderohej shkelje ose devijim parazit i gjuhës “normale e të drejtë”. Kjo do t’i kufizonte alternativat shprehëse dhe do ta shihte repertorin leksikor si proces të përfunduar, pa mundësi eksplorimi të mëtejmë. E një mjet shumëformësues kuptimor është metafora.