Shtojca për Kulturë

Dita kur kapiten Halimi e solli në Bari anijen e ëmbël “Vlora”

Foto: AP

Ditari i Adriatikut: Andej komunizëm, këndej kapitalizëm – mbi refugjatët shqiptarë të cilët erdhën në Bari më 8 gusht 1991, skenat apokaliptike dhe një kapiten që donte të sillte sheqer nga Kuba në Durrës.

 

Ditari i Adriatikut: Andej komunizëm, këndej kapitalizëm – mbi refugjatët shqiptarë të cilët erdhën në Bari më 8 gusht 1991, skenat apokaliptike dhe një kapiten që donte të sillte sheqer nga Kuba në Durrës.

Bari - Historia e Europës është histori e kufijve. Bari, njëri nga qytetet më jugore të Italisë, për shembull, përherë ka qenë zonë e përplasjes së interesave dhe ambicieve të fuqive të ndryshme. Në vitin 847 një flotë myslimane pushtoi portin e Barit dhe shpalli këtu një Emirat, i cili u shpërbë më 871 kur frankët dhe bizantinët u bënë bashkë për t’i dëbuar myslimanët – ose saracenët, siç quheshin popujt islamikë, të cilët afërsisht nga viti 700 nisën të depërtonin në Mesdhe.

Historinë evropiane si histori të kufijve si rrallëkush e shpjegon shkencëtari gjerman, Karl Schlögel: “Shikuar në makinën e kohës, gjithë historia europiane është një histori e pandërprerë e zhvendosjes së pushtetit dhe kufijve, prishjes së vijave të demarkacionit të respektuara gjatë, një procesi të revidimit herë paqësor, herë të dhunshëm, i cili s’pushoi kurrë. Historiografia në pjesën më të madhe është rekonstruksion i këtyre lëvizjeve zhvillimore dhe revizioniste. Historiografia përqendrohet veçanërisht përgjatë kufijve. Ajo është e specializuar në zhvendosjen e kufijve. Ajo i konsideron ata si indikatorët më ekzaktë për dinamikën, mësymjet dhe tërheqjet. Kufiri është vendi i privilegjuar për një historiografi shteruese hapësinore-kohore. Këtu matet fuqia e impulseve, forca goditëse e mësymjeve, qëndrueshmëria e novacioneve apo edhe mbetja e tyre në baltë. Këtu shihet se kush ka impakt historik apo çka nuk është e përhershme dhe rrjedhimisht tërhiqet sërish”.