Shtojca për Kulturë

“Udhëtim në të shkuarën”, mini-enciklopedi historie e jete

Nuk e kam as dyshimin më të vogël se libri i Zenun Çelajt ka mundur të ishte shumë më i vëllimshëm, për shkak se rrëfime do të ketë pasur shumë më shumë. E megjithatë, ne miqtë e tij, jemi më se të lumtur që ia dolëm ta bindnim që bile një pjesë të atyre copëzave të jetës t’i ndante me ne në këtë formë
 

Zenun Çelaj vendosi që kronologjinë e jetës së tij personale e profesionale ta ndërtonte mbi 37 rrëfime, që në një formë shumë autentike e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, me theks të veçantë në Mal të Zi e Kosovë. Para se të tërhiqej nga puna aktive më 31 dhjetor 2020, na gëzoi me dhuratën që na e bëri: librin “Udhëtim në të shkuarën”, këtë mini-enciklopedi të begatë historie e jete

Nuk e di po qe se ka qenë e enjte dita kur u lind Zenun Çelaj, porse jemi mbledhur të enjten për ta përuruar, një vit pas botimit, librin që pata nderin ta redaktoja.

Në kohën kur së bashku me Zenunin punonim në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që ndonjëherë do të merresha me libra, e aq më pak që të më binte hise ta redaktoja librin e doajenit të gazetarisë kosovare. Njeriut që ia përkushtoi 60 vjet të jetës së tij fjalës së shkruar. Jo për kot kanë thënë se jeta është përplot befasi.