Shtojca për Kulturë

Kongresi i Drejtshkrimit - Një varietet për të gjithë shqiptarët

Dashuria e popullit ndaj kombit dhe puna cilësore e shumë personaliteteve të shquara brez pas brezi u kurorëzua suksesshëm para 49 vjetësh, më 1972, kur edhe u njësua zyrtarisht varieteti standard në të gjithë shqiptarinë, që e garantoi një kahe të sigurt për funksionimin praktik të tij si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e më gjerë

 

 

Proceset komplekse të zhvilluara paralelisht me angazhimin e shumë dijetarëve në realizimin e ëndrrës për gjuhë të përbashkët, përbëjnë fakt domethënës lidhur me idealin e fortë që i shtyu shqiptarët të luftonin ndershëm për bashkim në aspekte socio-politike e kulturore shumë kohë para arritjes së shtetësisë. E njëkohësisht, ato japin ndjesi krenarie lidhur me dëshirën dhe punën e palodhshme për pavarësi, të cilën e kemi borxh për ta kultivuar e zhvilluar edhe sot

 

Rruga e unifikimit të shqipes së shkruar përbën një histori procesesh e sfidash të njëpasnjëshme në aspektin kulturor, politik e social. Qysh nga rezistenca për liri në kohën e Skënderbeut, pas shtypjes e përballjes shumëshekullore të Perandorisë Osmane nga masat e gjera popullore e shumë heronj të shquar, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare, vrullshëm filloi të krijohej ndjenja e vetëdijes kombëtare. Represioni i ashpër nuk i ndaloi atdhedashësit t’u bënin ballë sfidave e mjeteve të shumta që ishin barriera për ta ruajtur zellshëm ‘zjarrin’ shqiptar e ndërgjegjen kombëtare në të gjithë lëmenjtë, në veçanti njësimin e bashkëvarianteve gjuhësore.