Sidney Poitier, aktori që theu barrierat racore

Sidney Poitier, një herë kishte refuzuar rolin e Othelos, sepse s’donte të karakterizohej vetëm si aktor afro-amerikan. Rasti vuri në pah dilemën e një burri që theu shumë barriera racore në Hollywood.
Si afro-amerikani i parë, fitues i Çmimit për aktorin më të mirë të Akademisë Amerikane, ai ishte i vetëdijshëm se është bartës i integrimit të madh racor. Por shpesh u ndie se është kthyer në një “monedhë racore”, dhe kjo ia mohoi atij mundësinë të pranonte role të ndryshme.
Vdiq të premten, në moshën 94-vjeçare, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bahamas. Sidney Poitier u lind më 20 shkurt 1927 në Miami të Floridas.
Prindërit e tij ishin fermerë nga Bahamas, që kishin udhëtuar drejt SHBA-së për të shitur domate. Lindja e tij e parakohshme ia mundësoi të merrte shtetësinë amerikane.
Të afërmit besonin se familja e të atit të tij kishte origjinë nga Haiti dhe se paraardhësit e tij ishin skllevër të arratisur.
Ai u rrit në ishullin Cat të Bahamas para se familja të kalonte në kryeqytet, Nassau.
Në moshën 15-vjeçare shkoi të jetonte me vëllain në Miami para se të lëvizte drejt New Yorkut ku punoi si pjatalarës.
Ishte hera e parë që përjetoi racizmin.
“Kam jetuar në një shtet ku s’mund të gjeja punë, pos atyre të lëna anash për ngjyrën apo kastën time”.
Pas një periudhe në Ushtrinë Amerikane, ai iu bashkua Teatrit Amerikano-Negro, që ishte themeluar si projekt komuniteti në Harlem më 1940.
Depërtimi
Fatkeqësisht Poitier s’dinte të këndonte, diçka që audienca e konsideronte se ishte parakusht për aktorët afro-amerikanë të asaj kohe.
Në vend të kësaj, ai vendosi që e ardhmja e tij të shtrihet si aktor skene. Iu ofrua një rol kryesor në komedinë “Lysitrata”, të Aristophanes, në vitin 1946.
Ishte shenjë e kohës që në produksion shfaqeshin vetëm aktorët afro-amerikanë.
Në vitin 1949 ai mori vendimin e vështirë për të kaluar nga produksioni teatror në film.
Ishte një vendim i mirë për të. Performanca në filmin “No Way Out” të vitit 1950, në të cilin luajti rolin e doktorit të ri që përballej me pacient racist, ia solli vëmendjen e studiove.
Shpërthimi i tij erdhi me filmin “The Blackboard Jungle” të vitit 1955, me rolin e nxënësit përçarës në një shkollë brenda qytetit.
Filmi ishte jashtëzakonisht i famshëm edhe për shkak se ishte një nga të parët që pati rock ‘n’ roll si kolonë zanore, përfshirë klasiken “Rock Around the Clock” të Bill Haleyt.

“Besoja në vëllazëri”
Me “Defiant Ones” të 1958-s, Poitier u nominua për Aktorin më të mirë nga Akademia Amerikane dhe fitoi Çmimin “Bafta” për filmin e njëjtë.
Pesë vjet më vonë, ai u nderua me “Oscar” për “Lilies of the Field”, duke u bërë afro-amerikani i parë me trofeun prestigjioz.
Me rritjen e lëvizjes për të drejtat e njeriut në SHBA, ishte e pashmangshme që Poitier të mos lavdërohej si shembull i arritjes te afro-amerikanët. Me kënaqësi e pranoi rolin.
“Isha aktor shumë i mirë dhe besoja në vëllazëri. Urreja racizmin dhe përçarjen. Isha simbol i luftës kundër tyre”.
Gjithsesi, ishte i shqetësuar se çmimi i tij “Oscar” mund të ketë qenë vetëm për shkak të nevojës së Hollywoodit që të shpërblejë një aktor afro-amerikan, sesa që ishte diçka e arritur me punë.
Më pas, më 1967, ai arriti kulminacionin me tre filma, duke u bërë ylli i vitit në Hollywood. Luajti rolin e një mësuesi në një shkollë të vështirë në filmin “To Sir, With Love”, bazuar në romanin autobiografik të E R Braithwaite.
Aktrimi për të qenë i vërtetë
Përvoja e rolit të tij, të të qenët imigrant në Londër pasqyronte jetën e shumë indianëve perëndimorë, të cilët kishin shkuar në Britani të Madhe gjatë viteve ‘50 dhe ‘60.
“Aktrimi s’është lojë ‘pretendimi’”, ishte shprehur një herë ai. “Është ushtrim i të qenët i vërtetë”.
Poitier u nominua për çmimet “Bafta” dhe “Golden Globe” për filmin “In the Heat of the Night” të Norman Jewisonit.
Ai luajti rolin e një detektivi të Filadelfias që përfshihet në hetimet për një vrasje të një biznesmeni në Mississippi.
Marrëdhëniet e tij në zhvillim me sherifin lokal, të luajtur nga Rod Steiger, ia dhanë Poitierit rolin më të fuqishëm dhe filmin që fitoi pesë çmime “Oscar”, përfshirë atë kryesorin.
Përgjigja e Poitierit në pyetjen e Steigerit se “Si të quajnë ty djalosh?” prodhoi njërën nga deklaratat më të famshme kinematografike: “Më quajnë zotëri Tibbs”.
Regjia dhe diplomacia
“Guess Who’s Coming to Dinner”, po ashtu, ishte film ku Poitier luajti rolin e të dashurit të një gruaje të bardhë që e takon me prindërit.
Me role nga Spencer Tracey dhe Katherine Hepburn, prindërit e saj ishin të ndarë mes vlerave liberale dhe reagimit ndaj dhëndrit afro-amerikan.
Kur nisën filmimet, martesa mes racave të ndryshme ishte ende e jashtëligjshme në 17 shtete të SHBA-së. Këto ligje u tërhoqën nga Gjykata Supreme disa muaj para se të dilte filmi.
Por, Poitier u përball me kritika nga aktivistët që kërkonin të drejtat e afro-amerikanëve që ankoheshin se personazhet e tij ishin tejet të mirë për të qenë të vërtetë.
Ajo i ndihmoi ta bindte që të largohej nga rolet dhe të përfshihej në kampanjën për pavarësinë e Bahamas, gjë që u arrit më 1973, dhe për të nisur karrierë të re si regjisor.
Deri në fund të viteve ‘70, Poitier kishte themeluar shtëpinë e tij të produksionit bashkë me yje të tjera, përfshirë Paul Newymanin dhe Barbra Streisandin.
Suksesi prapa kamerave përfshinte edhe filmin “Stir Crazy”, me Richard Pryorin dhe Gene Wilderin, dhe trilerët “Shoot to Kill” dhe “Little Nikita”.
Poitier u bë aktori i parë afro-amerikan që mori çmimin jetësor të Institutit Amerikan të Filmit në vitin 1992.
Pesë vjet më pas, u bë ambasador i Bahamas në Japoni. Në vitin 1974 kishte marrë titull të veçantë në Bahamas.
Poitier ishte martuar me Juanita Hardyn në vitin 1950, por u ndanë 15 vjet më pas. Më 1976 u martua me aktoren kanadeze, Joanna Shimkus, dhe kishte gjashtë vajza nga dy martesa. E bija e tij, Sydney Tamiia Poitier, është po ashtu aktore.
Në vitin 2016 u nderua me çmim nga “Bafta”, si njohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografi. Shëndeti i dobët ia pamundësoi të shkonte në Londër për ta marrë çmimin dhe u paraqit me videolidhje.
Aftësia e tij për të luajtur role kryesore e ndihmoi të thyente tabutë racore në kinematografinë amerikane dhe në shoqëri, edhe pse ai kurrë s’e ka vlerësuar lart rëndësinë e tij si model në këtë pikë.
“Nëse do të kujtohem se kam bërë pak gjëra të mira, dhe nëse prania ime këtu ka sjellë pak energji të mirë, kjo është mjaftueshëm”, ishte shprehur një herë ai.
Marrë nga BBC. Përktheu: Endrit Berisha
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.