Shtojca për Kulturë

Radovanoviq: Në Serbi mbretëron rrena shtetërore për luftën në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s

Rade Radovanoviq: “Njerëzit në Serbi, shumica dërmuese e tyre, nuk e kanë idenë se çfarë ndodhi gjatë bombardimeve të NATO-s dhe luftës në Kosovë. Sikurse, tek e fundit, edhe gjatë luftës në Slloveni – ku pjesa më e madhe e saj ishte e kurdisur dhe e falsifikuar – si dhe gjatë luftës në Kroaci, apo gjatë luftës së KONTRAKTUAR në Bosnje dhe Hercegovinë”
 

Thotë se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë në kërkim të vlerave sublime të qytetërimit. E vërteta është njëra prej tyre dhe, për të paktën, një segment të saj vendosi ta paraqesë në formën e një romani dokumentar, si “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, botuar nga Botimet KOHA. Sipas tij, në Serbi mbretëron rrena dhe një komplot i heshtjes për atë që ndodhi në vitin 1999 dhe më parë. “Konkretisht, gënjeshtra për bombardimet e NATO-s dhe luftën në Kosovë, që nisi në vitin 1998. Fshihet e vërteta se Slobodan Millosheviqi dhe tajfa e tij nacionaliste donin dhe provokuan agresionin e NATO-s, sepse u duhej që me krime ta pastrojnë etnikisht Kosovën nga shqiptarët”, thotë Radovanoviq

Fundvitin që lamë pas, disi në të njëjtën kohë, në Prishtinë, Beograd e Zagreb, u botua romani “Qeshja nën trekëndëshin e varjes” me autor gazetarin dhe dramaturgun e njohur serb, Rade Radovanoviq. Libri, në fakt është një vepër gjysmë-autobiografike, një dëshmi e fuqishme për një kohë që çoi në shkatërrimin e ish-federatës jugosllave e që arriti kulmin me bombardimin e Serbisë nga ana e NATO-s për shkak të gjithë asaj që regjimi i Slobodan Milosheviqit bëri në Kosovë.

“Qeshja nën trekëndëshin e varjes” është e mbrujtur nga përshkrime e prova materiale që, si të tillë, e bëjnë atë të mos jetë vetëm vepër letrare, të mos jetë vepër dramaturgjike, por edhe njëra, edhe tjetra, të jetë edhe vepër me peshë historike. Në një intervistë ekskluzive për kdpolitik.com, autori Rade Radovanoviq thotë se aktualisht në Serbi mbretëron, sikurse thotë, rrena – rrena zyrtare, shtetërore për atë që ndodhi në vitin 1999 dhe më parë, për luftën në Kosovë dhe bombardimet e NATO-s.