Shtojca për Kulturë

Baudelaire-i mbi artin e dramës lirike te Wagneri

Charles Baudelaire (1821-1867)

Shfaqja e operës “Tanhauser” e kompozitorit të madh gjerman Richard Wagner, në janar dhe shkurt të vitit 1860 në Paris u bë një ngjarje e madhe kulturore e cila u shoqërua me debate e analiza në revista letrare e muzikore franceze.

 

Në tekstin mbi operën “Tanhauser”, Baudelaire eksploron lidhjet që ngjizen e shpalosen midis poezisë dhe dramës lirike, përkatësisht operës. Në hyrje të këtij studimi të operës “Tanhauser”, ai thekson se i kishte rastisur shpesh të dëgjojë dhe të lexojë se “muzika nuk mund të lavdërohet se mund të përkthejë çfarëdo me siguri, siç e bën këtë fjala apo piktura”. Baudelaire mendon se ky pohim nuk është i saktë ngase “në muzikë sikurse edhe në pikturë e madje edhe te fjala e shkruar, e cila është madje arti nga më pozitivët, mbetet gjithherë një boshllëk për t’u mbushur me imagjinatën e dëgjuesit”

Shfaqja e operës “Tanhauser” e kompozitorit të madh gjerman Richard Wagner, në janar dhe shkurt të vitit 1860 në Paris u bë një ngjarje e madhe kulturore e cila u shoqërua me debate e analiza në revista letrare e muzikore franceze.

Prej tyre u shqua në veçanti studimi i poetit të madh Charles Baudelaire (Sharl Bodler, 1821-1867), i cili u botua për herë të parë në revistën pariziene “La revue européenne”, në muajin prill të vitit 1861. Këtë tekst të Baudelaire-it e kemi gjetur në librin “Charles Baudelaire. La passion des images” (Pasioni i imazheve, Gallimard) i cili u botua vitin e kaluar në Paris. Ky libër voluminoz (prej 1820 faqeve) përmban një përzgjedhje të teksteve të tij mbi artin, mbi pikturën, mbi muzikën, mbi poezinë dhe kritikën letrare e artistike.