Shtojca për Kulturë

“Lufta në Ukrainë…” gjen rolin e shkrimtarit si zë i paqes

Polip në Prishtinë
Paneli “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë tani shkrimtarët dhe përkthyesit?”, pasditen e së shtunës në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip” në teatrin “Oda” (Foto: Driton Paçarada)
 

Në kuadër të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, shkrimtarë e përkthyes nga Suedia, Danimarka e Austria diskutuan nën temën “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë tani shkrimtarët dhe përkthyesit?”. Danezi Carsten Jensen solli rrëfime për luftën në Kroaci, masakrat dhe kryerësit e krimeve, që ngjajnë me ato të kryera në Kosovë

Paneli me kryetemë luftën, ka qenë ideal që gazetari danez, Carsten Jensen, ta risjellë rrëfimin e tij për luftën sa ishte reporter i asaj në Kroaci. E ka bërë këtë para publikut që pati të njëjtën fatkeqësi, me armikun e njëjtë. Por historia e Jansenit ka qenë vetëm një kapitull i panelit në temën “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë tani shkrimtarët dhe përkthyesit?”, pasditen e së shtunës në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”.

Për dy ditë radhazi, kryeqyteti i Kosovës ka mbledhur shkrimtarë dhe përkthyes nga vende të ndryshme të botës. Diskutimi i dytë ka mbledhur në teatrin “Oda” edhe shkrimtarët dhe përkthyesit, Daniel Gustafsson nga Suedia, Petra Nagenkogel nga Austria, gazetarin dhe përkthyesin kosovar, Edis Galushi.