Shtojca për Kulturë

Romani grafik – mjet për ndryshime politike dhe ruajtje të identitetit

Nga e majta: Li-chin Lin dhe Duchy Man Valderá në debatin “Romani grafik si mjet politik”, të shtunën në ditën e dytë të Festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”

Se arti është mjet i cili mund të shfrytëzohet për të mbajtur lidhjen me atdheun si dhe për ta afirmuar kulturën e vendit të origjinës, e dëshmojnë edhe dy shkrimtaret e romanit grafik, Duchy Man Valderá dhe Li-chin Lin.

 

Pesha e romaneve grafike nuk matet vetëm me mjeshtërinë e imazheve, dhënien jetë të personazheve e fuqisë së rrëfimit, por që në zanafillë, arti i nëntë ka në esencë edhe ndikimin në shoqëri. Se është mjet politik, ka fort dëshmi, e kjo anë e romanit grafik është kundruar edhe në edicionin e sivjetmë të “GRANFestit”, që për temë kryesore ka pasur “Identitetet e përziera”. Shembuj konkretë janë dhënë në debatin “Romani grafik si mjet politik” për ta prekur edhe temën “Mes integrimit dhe rrënjëve”. Konferenca “Diaspora hebraike në romanet grafike” ka shpalosur prejardhjen e superheronjve më të njohur dhe ka zbardhur paragjykimet në disa vepra

Se arti është mjet i cili mund të shfrytëzohet për të mbajtur lidhjen me atdheun si dhe për ta afirmuar kulturën e vendit të origjinës, e dëshmojnë edhe dy shkrimtaret e romanit grafik, Duchy Man Valderá dhe Li-chin Lin.

Duchy Man Valderá, e lindur në Havanë prej vitit 2012 jeton në Belgjikë ku edhe ka krijuar jetën e saj artistike. Si emigrante dhe artiste me origjinë kubane ajo ka vendosur që nëpërmjet romaneve grafike, të paraqesë një pjesë të kulturës së saj e cila lidhet me muzikën, vallëzimin, kujtimet e fëmijërisë gjatë kohës kur ka jetuar në Kubë.