Shtojca për Kulturë

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri në kontekstin e Luftës së Ftohtë

Tezat e Ukshin Hotit në dokumentin sekret (tepër rezervat) të titulluar “Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë-Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj”, të hartuar më 20 nëntor 1974

Ukshin Hoti konsiderohet njëri nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare që atëbotë kishte Kosova dhe ishte një nga figurat e reja të elitës politike shqiptare në Kosovë, i cili gjatë gjithë aksionit të tij politik dhe intelektual angazhohej të forconte identitetin e Kosovës në rrafshin e politikës së jashtme, si një premisë për zhvillimin dhe forcimin e subjektivitetit të Kosovës dhe bashkë me të edhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe kulturor të shoqërisë kosovare e forcimit të kohezionit kombëtar brenda Kosovës dhe në raport me Shqipërinë.

Ky punim është pjesë e një hulumtimi më të gjerë që ka të bëjë me qëndrimin e shtetit shqiptar në raport me çështjen e Kosovës në kontekstin e zhbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990-të. Për analizë merret dokumenti i hartuar në vitet 1970-të nga profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ukshin Hoti, drejtuesi i parë i Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme (SKMBJ), në të cilin bëhet fjalë për kahet dhe orientimet e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Shqipëri në kontekstin e Luftës së Ftohtë, respektivisht të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë socialiste dhe Jugosllavisë Federative

Ukshin Hoti konsiderohet njëri nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare që atëbotë kishte Kosova dhe ishte një nga figurat e reja të elitës politike shqiptare në Kosovë, i cili gjatë gjithë aksionit të tij politik dhe intelektual angazhohej të forconte identitetin e Kosovës në rrafshin e politikës së jashtme, si një premisë për zhvillimin dhe forcimin e subjektivitetit të Kosovës dhe bashkë me të edhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe kulturor të shoqërisë kosovare e forcimit të kohezionit kombëtar brenda Kosovës dhe në raport me Shqipërinë.

Mbi këto premisa dhe vizion largpamës, siç konfirmojnë dokumentet dhe aktet e ndryshme arkivore të proveniencës shqiptare, marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë merrnin një dimension të veçantë politik, kulturor dhe ekonomik në kontekstin e marrëdhënieve të Federatës Jugosllave dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera të botës. Sigurisht kjo marrëdhënie kishte interes historik veçanërisht për Kosovën, e cila kishte nevoja më emergjente dhe më të mëdha për ta ruajtur identitetin e saj kombëtar, të goditur deri atëherë egërsisht dhe në mënyrë sistematike nga qeveritë dhe politikat nacionaliste të Beogradit. Kjo marrëdhënie bëhej akoma më e veçantë edhe për faktin se deri në fund të viteve ‘60 të atij shekulli komunikimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk ekzistonte fare.