Shtojca për Kulturë

Filozofia dhe etika politike e Rexhep Qosjes

Rexhep Qosja
Figura karizmatike e Rexhep Qosjes (I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj) është krijuar nëpër decenie për të marrë karakterin e një prej personaliteteve më të shquara të botës shkencore, politike dhe shoqërore ndër shqiptarë
 

Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediat serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin. Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit

Hyrje

Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1995 kur e kam parë për herë të parë akademik Rexhep Qosjen, në një orë letrare. Me një mjekër të zezë e karakteristike, me trupin drejt dhe kokën lart, kur hyri në sallën e Fakultetit Filozofik, ku mbahej ora letrare, salla u elektrizua nga duartrokitje frenetike. Kishte diçka sokratiane në këtë skenë. Ai ishte bërë simboli karizmatik i dijetarit, të cilin ne, të rinjtë dhe të rejat veprimtarë për Republikën e Kosovës, e konsideronim se është “në anën tonë, në anën e Republikës.” Diçka e tillë nuk ishte e rëndomtë në atë kohë.