Shtojca për Kulturë

Familja në shërbim të kombit

Kjo monografi, veçse një pjesë e së vërtetës për ndihmesën e madhe që dha mërgata jonë, nëpërmjet shembullit të familjes Osmani, njëkohësisht është edhe shprehje e mirënjohjes për gjithë angazhimin e saj, për ndihmën që ia dhanë Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht në kohë të vështira e vendimtare të historisë (Foto: Driton Paçarada/KOHA)

Asnjë histori kombëtare nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e rolit vendimtar që ka pasur mërgata jonë në të gjitha fazat e zhvillimeve historike. Të kontribuosh për atdheun është fat, por mbi të gjitha ishte përcaktimi i ndërgjegjshëm i familjes Osmani që e drejtoi rrugëtimin e saj nëpër kronologjinë historike kombëtare, pjesë e së cilës u bë me angazhimin e pashoq

 

Asnjë histori kombëtare nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e rolit vendimtar që ka pasur mërgata jonë në të gjitha fazat e zhvillimeve historike. Të kontribuosh për atdheun është fat, por mbi të gjitha ishte përcaktimi i ndërgjegjshëm i familjes Osmani që e drejtoi rrugëtimin e saj nëpër kronologjinë historike kombëtare, pjesë e së cilës u bë me angazhimin e pashoq

Më 2020 Instituti Albanologjik pati mundësinë që ta përfshinte në planin botues monografinë “Lufta për lirinë e atdheut dhe familja (Veprimtaria e familjes Osmani në SHBA)” të autorit Emin Kabashi, si njërën ndër veprat e rralla me dedikim ndriçimin shkencor të kontributit historik të mërgatës sonë. Një përurim i munguar atëbotë ishte rezultat i shfaqjes së pandemisë, ndërsa sot jam shumë i nderuar që mund të them disa fjalë me rastin e botimit të kësaj vepre në anglisht që doli këto ditë në edicion të Shtëpisë Botuese “Koha”. Mërgata shqiptare, që nga Rilindja Kombëtare e këtej, ka luajtur rol të rëndësishëm në përcaktimin e fateve të atdheut. Kolonitë shqiptare u bënë formësuese të ideologjisë kombëtare e cila rezultoi me pavarësinë Shqipërisë, pa harruar se edhe në periudhat e pastajme aktiviteti i mërgatës shqiptare ishte përcaktues për secilin progres në rrugëtimin tonë drejt lirisë.

Mërgata shqiptare në Evropën Perëndimore dhe sidomos ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha ndihmesë vendimtare për ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare. E krijuar kryesisht si një komunitet ekonomik, me kalimin e kohës dhe me intensifikimin e veprimtarisë atdhetare, mërgata jonë do të faktorizohej deri në atë masë sa të bëhej subjekt i rëndësishëm në orientimin e zhvillimeve në atdhe dhe në mbështetjen e lëvizjes çlirimtare. Në raste më të rralla ndër kontribuuesit e kësaj mërgate dalzotëse e atdheut ishin përfshirë më shumë pjesëtarë të një familjeje, madje-madje edhe e gjithë familja. E këtillë ishte familja Osmani, përkatësisht vëllezërit Osmani, Hasani dhe Esati, të cilët ishin ndër idealistët që vunë në shërbim të çështjes shqiptare potencialet e tyre ekonomike, intelektuale dhe shoqërore. Të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillimisht më 1968, vëllezërit Osmani me kohë u bënë faktorë në organizimin e mërgatës së atjeshme shqiptare, kontribuuan për informimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit amerikan lidhur me pozitën e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, por edhe për fuqizimin e lobit shqiptaro-amerikan me qëllim që çështja shqiptare të fitonte mbështetje në institucionet më të larta shtetërore amerikane.