Shtojca për Kulturë

“The Osmani Brothers” dhe historia e një lufte pa armë e pa plumba

Mbi dy dekada më vonë dhe në kushte krejtësisht të tjera, në shtetin tonë, për pavarësinë e të cilit kanë shumë merita Osmani së bashku me Hasanin e Esatin dhe familjet e tyre, po më jepet rasti për t’i thënë faleminderit në formën e këtij libri që po e përurojmë sot (Foto: Driton Paçarada / KOHA)
 

Shkuarja në Perëndim si rrugëdalje për të siguruar ekzistencën, nuk mundi ta shuante mallin për atdheun. U bë motiv për një luftë pa armë e pa plumba – për një luftë që shqiptarët nuk e kishin njohur deri në themelimin e Lobit shqiptar në Amerikë. Atëherë e kuptuam edhe ne, se pa njerëz që mund të shtynin para agjendat politike te qendra botërore e vendimmarrjes, zor se do të shkonim ndonjë hap para. E ne ishim me fat që në mesin e themeluesve të këtij lobi ishin edhe vëllezërit Osmani

Kur para 23 vjetësh do ta takoja Osman Osmanin në Shkup, isha syrgjyn. Nuk kisha ide jo fort të qartë se çfarë po ndodhte me nënën dhe vëllain tim të mbetur në Prishtinë gjatë bombardimeve. Atëherë, zor se kisha mundur të paramendoja se jeta do të na bashkonte sot, këtu, në përurimin e një libri.

Osmanin që e njohim, përherë optimist, i gjallë dhe njeri i gatshëm për të të dhënë kurajë kur punët i kishe më së ngushti – nuk ishte ai Osman që kisha takuar në Maqedoni.