Shtojca për Kulturë

“Deset u pola” si himn për Sarajevën dhe traditën e qebapëve

Skenë nga filmi boshnjak “Deset u pola” i shfaqur të shtunën në “Kino Armata” në Prishtinë

Regjisori i njohur boshnjak, Denis Tanoviq, fitues i çmimit “Oscar”, me “Deset u pola” vjen në një zhanër krejt tjetër. Është një rrëfim që ai e zhvendos në rrugët e Sarajevës së tij, në qebaptore dhe kësisoj ia bën një himn vendlindjes, por edhe traditës. Sjell atmosferën tipike të Çarshisë, me garën se kush e bën qebapin më të mirë

“Deset u pola” sjell para publikut Sarajevën, jetën e përditshme të këtij qyteti dhe lidhjen e pandashme me qebapin, simbolin e kulinarisë së këtij qyteti. Pas shumë filmave dramatikë e me ngjarje nga lufta, regjisori i njohur boshnjak, Danis Tanoviq, së fundi ka vendosur ta sprovojë veten edhe në zhanrin e komedisë dhe këtë e ka bërë me “Deset u pola”, që është një shprehje për dhjetë qebapë në gjysmë samuni. Me këtë shije ka ardhur edhe në Prishtinë. U shfaq të shtunën në “Kino Armata” dhe është në konkurrencë zyrtare në edicionin e 14-të të “PriFestit”.

Pandemia e COVID-19 ka shkaktuar rënien ekonomike të qebaptorëve sarajevase. Dy miqtë Enes (Branko Gjuriq) dhe Izet (Izudin Bajroviq) takohen çdo ditë në kafe për të folur rreth halleve të tyre. Por teksa Enesi është i interesuar vetëm se si të pasurohet edhe më shumë, Izeti është ithtar i një jete të qetë dhe një pleqërie në paqe. Gjëja që e preokupon më së shumti është që vajza e tij ta marrë në menaxhim qebaptoren e tij, të martohet dhe ta bëjë me nipër e mbesa.