Shtojca për Kulturë

“Vajza e Hitlerit” midis lidhjeve të britanikëve me nazizmin

“Vajza e Hitlerit”: Unity Mitford (majtas) me motrat e saj Diana (në mes) dhe Nancy (djathtas)
 

Libri “Hitler's Girl: The British Aristocracy and the Third Reich on the Eve of WWII”, diskuton se sa e afërt ishte aristokracia e Britanisë me regjimin nazist dhe çfarë na tregon situata e atyre kohëve për rrezikun e demokracisë së sotme

Kushdo që përpiqet të zhytet thellë në historinë e lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe fashist britanik të viteve 1930, me siguri do të hasë në emrat e Unity Mitford dhe Oswald Mosley.

Personaliteti dhe idetë e Unity Mitford, për të cilën është thënë se ka qenë e dashura e Hitlerit, janë diskutuar në libra të tillë si: “Unity Mitford: An Inquiry into Her Life and the Frivolity of Evil” (Unity Mitford: Një hetim mbi jetën e saj dhe mendjelehtësinë e së keqes) botuar më 1977, të David Pryce-Jones dhe në “Hitler's Valkyrie: The Uncensored Biography of Unity Mitford” i vitit 2014.