Shtojca për Kulturë

Seniha Spahiu – gjashtë dekada kushtuar edukimit muzikor

Punën e saj profesionale, pedagogjike e krijuese në zhvillimin origjinal të mendimit metodik të mësimit të muzikës në Kosovë, e në përgjithësi në gjithë trevat shqiptare, prof. Seniha Spahiu (6 korrik 1936 – 1 tetor 2022) e ka mbështetur në konstatimin themelor se muzika është art, por edhe shkencë, ashtu si edhe mësimdhënia, por edhe në bindjen/besimin e saj e thellë se muzika është vetë jeta
 

Duke ditur se muzika, por edhe vetë edukimi muzikor shquhen me kombinim të elementeve shprehëse artistike me elementet e disiplinave shkencore muzikore, një ndërlidhje shumë komplekse dhe interesante në të cilën kombinohen çështjet artistike që i trajton muzika dhe një varg çështjesh po aq komplekse që i trajton edukimi, Muzika dhe Edukimi janë emëruesi i përbashkët i të gjithë veprimtarisë pedagogjike e krijuese muzikore të prof. Seniha Spahiut. Trashëgimia që ajo la pas, thesari i saj i krijimeve shkencore-profesionale, është ofruar nga ajo me zemër në dispozicion për të gjithë studiuesit e rinj në këtë fushë studimi

Hyrje

Arti muzikor ndërvepron apo komunikon me njeriun përmes tri veprimtarive aktive muzikore siç janë: interpretimi, dëgjimi (përjetimi dhe çmuarja e muzikës) dhe krijimi. Por, krijimtaria muzikore si koncept dhe proces shpesh shihet dhe trajtohet si e kufizuar vetëm në aspektin kompozicional muzikor. Përkundrazi, krijimtaria ose kreativiteti duhet shikuar dhe kuptuar si diçka shumëdimensionale që përshkon në një mënyrë apo tjetër të gjitha disiplinat muzikore por edhe jashtë saj. Një qasje të tillë karshi krijimtarisë më gjithëpërfshirëse në muzikë e kishte ndarë këtu e shumë vjet më parë edhe vetë krijuesi, kompozitori ynë i mirënjohur Rafet Rudi (1994) në një shkrim të tij vlerësues mbi një tribunë të ngjashme të organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve, në të cilin ai kritikonte atëbotë qasjen e padrejtë apo lënien “nën hije”, siç shprehet ai, të formave të tjera krijuese për dallim nga krijimtaria në fushën e kompozimit dhe të interpretimit artistik muzikor.