Shtojca për Kulturë

Blushi: Bashkimi – e vetmja mundësi që Kosova e Shqipëria të mbijetojnë

“Para njëzet vjetësh projekti i shqiptarëve ishte çlirimi i Kosovës nga Serbia. Kjo ndodhi. Para tridhjetë vjetësh projekti i shqiptarëve ishte që Shqipëria të dilte nga diktatura, dhe kjo ndodhi. Ka mbetur një projekt i pakonsumuar dhe është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën”
 

“Shqipëria po bëhet një vend më i vogël, shumë njerëz po ikin. Kosova është një vend depresiv, i izoluar, i vetmuar. Këtë përshtypje pata kur erdha. E vetmja mundësi që këto dy vende të mbijetojnë dhe të kenë një energji, të fitojnë energji dhe diaspora jonë të rikthehet për të bërë Shqipërinë dhe Kosovën, është bashkimi”, thotë shkrimtari e politikani Ben Blushi. Në një intervistë për KOHËN ai ka folur për rrëfimin e tij nga Ukraina që e sjell edhe në Prishtinë, për letërsinë, gjuhën standarde, kosovocentristët që po e izolojnë Kosovën. Është përgjigjur në pyetjen se ku janë shqiptarët në 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Në Prishtinë, Ben Blushi ka ardhur për të shpalosur nëpërmjet imazhesh një rrëfim të tijin nga Ukraina. Është një rrëfim në kontrast, rrëfim paqeje. Shkrimtari, autor i një sërë librash, i njohur veçmas për “Të jetosh në ishull” që theu rekorde, ka një arsye që i është rrekur fotografisë, ani se nuk e ka braktisur shkrimin. “Sot jetojmë në botën e imazhit, jo në botën e shkronjës”, thotë Blushi një në intervistë për KOHËN, në të cilën pos për ekspozitën e tij në Muzeun Kombëtar të Kosovës, flet për librin, për gjuhën standarde e për politikën. Pesimizmin e lidh edhe me ikjen prej leximit, por pesimiste i duken edhe Kosova, edhe Shqipëria. Evropa në përgjithësi. E që shqiptarët të mbijetojnë, Blushi thotë se duhet të bashkohen. “Shqipëria po bëhet një vend më i vogël, shumë njerëz po ikin. Kosova është një vend depresiv, i izoluar, i vetmuar. Këtë përshtypje pata kur erdha. E vetmja mundësi që këto dy vende të mbijetojnë dhe të kenë një energji, të fitojnë energji dhe diaspora jonë të rikthehet për të bërë Shqipërinë dhe Kosovën, është bashkimi. Nuk ka ngelur asnjë projekt tjetër”, thotë Blushi.

KOHA: Zoti Blushi, mirë se erdhët në Prishtinë! Është dinamike Prishtina këto ditë. Ka tensione, kam parasysh situatën politike...Si ju duket Juve?