Shtojca për Kulturë

Perëndimi me karikatura godet Evropën në ironinë me shqiptarët

Kur shteti shqiptar ishte në lindje, ishin realizuar edhe karikaturat që sot mund të lexohen në kute të ndryshme: ironizim i shqiptarëve dhe i Ballkanit në përgjithësi, por edhe shpotitje ndaj Evropës. Në tërësi, një referencë e syve të Perëndimit drejtuar Ballkanit, e veçmas shqiptarëve
 

Në gjashtëmbëdhjetë korniza me karikatura të shekujve XIX e XX, kur shqiptarët kërkonin e luftonin për shtet, “mund të shihet se qëndrimet e Evropës Perëndimore dhe ato amerikane nuk respektonin pretendimet për sovranitetin shqiptar dhe kërkesat për formimin e një Shqipërie zyrtare”. Por “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” ka edhe më rrëfime

Me të ngjitur shkallët në katin e dytë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, gjashtëmbëdhjetë kornizat e renditura njëra pas tjetrës japin përshtypjen se është një ekspozitë e zakonshme. Duket sikur është një vizualizim historik, aq më shumë kur vjen pikërisht në 78-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, por mbi të gjitha në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe pikërisht me ato vite, kur shteti shqiptar ishte në lindje, ishin realizuar edhe karikaturat që sot mund të lexohen në kute të ndryshme: ironizim i shqiptarëve dhe i Ballkanit në përgjithësi, por edhe shpotitje ndaj Evropës. Në tërësi, një referencë e syve të Perëndimit drejtuar Ballkanit, e veçmas shqiptarëve.

“Në karikaturat e mbledhura në këtë pjesë të ekspozitës mund të shihet se qëndrimet e Evropës Perëndimore dhe ato amerikane nuk respektonin pretendimet për sovranitetin shqiptar dhe kërkesat për formimin e një Shqipërie zyrtare”, shkruhet në njërën prej banerëve të ekspozitës, “Perceptimi për shqiptarët në artin e karikaturës” me veprat prej shtypit britanik e amerikan në shekujt XIX e XX. Rrëfimet e interpretimet mund të jenë më të shumta sesa numri i veprave të ekspozuara.