“Ky është një qytet i madh, i populluar, qytet i pasur e i bekuar, të cilit i ka hije të jetë kryeqytet i vendit (f. 152)”, shkruante Hahn më 1858.
“Shkupi ka 60.000 mijë banorë. Gjysma e tyre janë shqiptarë dhe turq. Edhe pse një pjesë e tyre janë larguar, megjithatë, shumica kanë vazhduar akoma të jetojnë në vatrat e tyre. Dhe, mbi ata përgjatë gjithë natës bëhen masakra”, shkruante Trocki në vitet e luftërave ballkanike 1912-1913 (f. 177-178.)
Citimet e lartpërmendura, janë vetëm disa përshkrime nga Shkupi i kohës së paqes dhe tmerreve dikur, për të cilin qytet, Skënder Latifi, së bashku me Shtëpinë Botuese “Logos-A” me qendër në Shkup, na e kanë ofruar librin me titull: “Shkupi në kohë të paqes dhe tmerreve (1858-1944)”.
Përgatitësi i këtij botimi, Skënder Latifi, emër i njohur në fushën e gazetarisë dhe përkthimit, ka vite që hulumton dhe publikon artikuj nga e kaluara jonë. Gjatë punës së tij hulumtuese, ka arritur të tubojë materiale të udhëpërshkruesve, publicistëve, diplomatëve etj. të huaj, për qytetin e Shkupit, por edhe të atyre nga vendi ynë siç ishte Lazër Mjeda, t’i përkthejë, t’i plotësojë me shënime sqaruese dhe t’i finalizojë ato për botim.
Shkupi, dikur qendër e Dardanisë antike dhe e Vilajetit të Kosovës, ishte pike strategjike, dhe vend interesi për shumë perandori, sidomos atyre evropiane, por, në gjysmën e dytë të shekullit XIX kemi edhe interesime të shtuara të udhëpërshkruesve e gazetarëve të huaj, të cilët ishin dërguar nga vendet e tyre për t’i furnizuar me informata më të hollësishme për këtë qytet dhe ngjarjet që po zhvilloheshin në këtë vend.
Skënder Latifi, duke e parë rëndësinë e këtyre materialeve, ka arritur t’i tubojë ato duke hulumtuar nëpër arkivat e bibliotekat e ndryshme të Evropës, dhe më pastaj t’i përkthejë e t’i plotësojë me shënime të nevojshme dhe i ka venë në dispozicion të lexuesve nëpërmjet botimit.
Brenda 295 faqeve të këtij libri, janë përfshirë, duke e numëruar edhe dy shkrime të vetë përgatitësit, 19 shkrime me 18 autorë. Të përfshirë me kontributet e tyre shkrimore janë këtë autorë Johan Georg von Hahn, Stojan Novaković, Aleksandar Stanojeviq, Vasil Kënçov, Petar Aleksandroviç Ritih, Alfred Rappaport, Skënder Latifi, Lav Trocki, M (autor serb), Maurice Baring, Ivo Ćipiko, Imzot Lazër Mjeda, Dragutin “Dragiša” Lapčević, Hristo Mutafov, Jouin Yves, Francois Pierre, Fran Tućan, Zheni Lebll.
Këto kontribute shkrimore janë të radhitura në botim sipas rendit kronologjik, duke filluar nga ai më i hershmi.
Nuk ka dyshim, se disa në përshkrimet e tyre janë subjektiv, tendencioz, e disa prej tyre qytetin e shikojnë si vend të ëndrrave të tyre, si bie fjala, autori serb i cili në artikujt e publikuar shënohej me inicialen M. Ky person, në vitin 1912, shkruan për këtë qytet si për qytetin e tyre, duke u shprehur “Shkupit tonë për të cilin kemi ëndërruar dhe e kemi dashur aq shumë (f. 152.)”.
Shkupi i Trockit e Lazër Mjedës
Kur flasim për masakrat kundër popullatës shqiptare gjatë viteve 1912-1913, nuk mund të mos i përmendim shkrimet e raportet e Trockit e të Lazër Mjedës gjatë këtyre viteve, ku përshkrimi i ngjarjeve është drithërues, të cilat shkrime zënë vend në këtë botim. Pavarësisht shkrimeve e raporteve të lartcekura në lidhje me masakrimet e shqiptarëve në këto vjet, dramaturgu, poeti, përkthyesi anglez, dhe korrespondenti i disa mediave të shkruara në këtë periudhë z. Baring, të gjitha këto masakrime u mundua t’i paraqesë si të paqena, duke shkruar “nëse shqiptarët ankohen se janë masakruar nga ushtarët serbë, atëherë pak simpati mund t’u kushtohet shqiptarëve, sepse masakrat kanë qenë një faktor i vazhdueshëm në jetën e zakonshme dhe të përditshme këtu... (f. 161)”. Edhe shkrimi i tij, ka zënë vend brenda kopertinave të këtij libri, dhe unë mendoj, se përgatitësi ka bërë mirë që edhe këso lloj shkrimesh i ka ofruar lexuesit, sepse duhet ditur, se një pjesë e njerëzve të ditur nga Evropa, proceset e masakrimit ndaj shqiptarëve, i kanë marrë si krejt normale dhe kështu ka ndodhur edhe me shumë raste të tjera gjatë historisë.
Në fund të librit, Skënder Latifi, nga koleksioni i tij i pasur me fotografi, nuk ka hezituar që ta ilustrojë këtë botim dhe për çdo autor të shkrimit, përgatitësi ka ofruar edhe nga një biografi të shkurtër, që mendoj se e kanë begatuar librin.
Përfundim
Në mesin e dy kopertinave, lexuesit do të gjejnë të dhëna me interes nga fushat e gjuhësisë, historisë, gjeografisë, etnografisë, demografisë etj.
“Logos-A”, pas botimit të librit “Shkupi” të autorit dhe publicistit Kim Mehmeti, të botuar para disa vjetëve, tani lexuesit ia ofron edhe një botim me interes, që ka në fokus Shkupin të titulluar: “Shkupi në kohë të paqes dhe tmerreve (1858-1944)”. Pra, biblioteka jonë, është pasuruar edhe me një botim për të kaluarën e Shkupit, parë në këndin e udhëpërshkruesve, publicistëve e diplomatëve, të cilët ishin njerëz të përgatitur me dije.
Me rastin e ndonjë ribotimi të këtij libri, përgatitësin Skënder Latifin, do ta sugjeroja, që ta plotësojë këtë botim, duke futur edhe emra të tjerë të udhëpërshkruesve, të viteve të mëhershme, të cilët në raportet e tyre, kanë bërë fjalë për Shkupin, siç bie fjala, në kohën e luftërave osmano-habsburgase, konkretisht në vitin 1689 komandantet e “Aleancës së Shenjtë” por edhe të tjerët, që shoqëruan këto ushtri, me rastin e pushtimit të Shkupit, dërguan në qendrën e tyre respektive raporte e përshkrime interesante për Shkupin dhe të bëmat e tyre në atë periudhë. Gjithashtu, udhëpërshkrimi i Evlija Çelebiut etj, për këtë qytet do të mund të kishte vend edhe në këtë botim.
Dhe krejt në fund, themi se puna e Skënder Latifit dhe disa autorëve të tjerë, të cilët kanë punuar libra të tillë, të merren si shembuj, me qëllim që të vazhdohet me përgatitje të botimeve edhe për qytetet e tjera shqiptare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.