Shtojca për Kulturë

Të shpallët e pamvarsisë

Mustafa Merlika-Kruja (1887 - 1958)
 

Tetuer 1912. Të katër Pushtetet balkanike: Mal i Zi, Serbi, Bullgari e Greqi i kishin shpallë luftë mbretnisë othomane e gjatë gjithë kufinit po sulmojshin, ku mâ shumë e ku mâ pak, me fitime. Ushtrija sërbe i ka thyem tyrqit në Kumanovë dhe ka nisun me përparuem pa mundime të mëdhaja. Vetë Kumanova âsht shqiptare e as Sërbt as Malazezt kurrkund s’kanë ku me vûmë kâmbë jashta vêndit të vet veçse në tokë shqiptare. Patrijotët e Shqipnisë, ndërmjet nji angështije dërmuese e shpresash t’âmbla por fort të zbeta për fatin e atdheut të tyne, kishin nisur qyshë ditën qi plasi lufta me lëvizun. Në krye ishin beglerët, dirigjentat e popullit shqiptar n’atë kohë. Mâ aktivët ndër ta ishin beglerët e Vlonës e Toptanët e Tiranës. Aty-këtu grupe të vogla e të dame intelektualësh pa influencë mbi turmat. Përjashtë kolonitë shqiptare në Boston, Kajro e Bukuresht, si dhe Arbreshët e Italisë.

Por ç’duhej bâmë e ç’mund të bâjshin Shqiptarët n’ato çase vendimtare? Cila ishte interesa reale e kombit? Ky gjindej, pa metaforë, përpara dilemës hamletjane: me qênë a mos me qênë! Balkanasit kishin hymë në luftë hajsmi për me shpëtuem nga salvimet e Tyrqet, vëllaznit slavë e grekë ende nën zotnimin othoman. Por me të vërtetë, po t’u ecte puna mbarë, ata kishi ndër mênd zgjânimin e pronave të tyne deri ku të mundshin. E Shqipnija, gjeografikisht, vinte mû në ballë të vêndevet qi ato lakmojshin. Prandej, për Shqiptarët me mênd në krye rruga për t’u ndjekun ishte nji e vetme: me përsritun gjestet e Lidhjes së Prizrenit 34 vjet mâ parë, d.m.th. me u shtrënguem n’armë e me luftuem kundra mvatorëvet, mundsisht mbë vete e si aljatë të Tyrqet, por në fund të fundit edhe si pjesë e ushtrisë othomane.