Shtojca për Kulturë

Kori i Filharmonisë në Mitrovicë thur kontraste me tinguj paqeje

Koncerti i Korit të Filarmonisë në Mitrovicë, dirigjuar prej Mary Konstantinidou (në foto) dhe Hajrullah Sylës, ka shënuar rikthim në këtë qytet pas një dekade (Foto: Arben Llapashtica)
Koncerti i Korit të Filarmonisë në Mitrovicë, dirigjuar prej Mary Konstantinidou (në foto) dhe Hajrullah Sylës, ka shënuar rikthim në këtë qytet pas një dekade (Foto: Arben Llapashtica)
 

Në kohën kur kryelajmet nga Mitrovica janë ato për tensione e shok-bomba nga veriu i saj, Kori i Filharmonisë së Kosovës çon atje një narracion krejt tjetër. Nëpërmjet muzikës i këndon paqes, në koncertin dirigjuar prej Mary Konstantinidou dhe Hajrullah Sylës. Ka nisur me “Peace I leave With You” e krejt mbrëmja është veshur me tis festiv

Pas stacionimit në Suharekë e Obiliq, Filharmonia e Kosovës ka vazhduar lëvizjen edhe në Mitrovicë. Muzeu i Qytetit, adresa e radhës për projektin “Filharmonia në lëvizje”, u pushtua nga Kori. Kësaj radhe fitoi një atmosferë mes tradicionales e modernes në koncertin e dirigjuar prej Mary Konstantinidou dhe Hajrullah Sylës. Ngjyra e kuqe që mbizotëronte në skenë, veshjet kombëtare përreth publikut e solistët me improvizim i falën qytetit të rockut një natë magjike.

Programi nisi me “Peace I leave With You” të Knut Nystedt, i cili dha mesazhin për paqe dhe u ndje si ritëm tejet aktual për gjendjen e tanishme të Mitrovicës. Ndryshe nga ajo u ndje vepra e Vasil Tolës, “Broj, broj, broj”, e cila kumboi si një jehonë e fuqishme që mbante veshin e publikut tejet aktiv. Si pëshpërimë që gjen intensifikim qe “Numërimet” e Jonas Tamulionis.