Shtojca për Kulturë

“Resilience” me veshje unike në lidhje elegante epokash

Secila nga shtatë veshjet në “Resilience” është unike dhe ngërthen origjinalitet, por edhe histori
Secila nga shtatë veshjet në “Resilience” është unike dhe ngërthen origjinalitet, por edhe histori

Shtatë veshje të realizuara me zhgun dhe shojë të vjetra rreth 50-vjeçare, vijnë si dizajne unike që modernizojnë traditën. Ose më saktë i japin një frymë të re. Materiali i përdorur ishte punuar me teknika tradicionale të asaj kohe dhe vetë ekspozita tenton të ruajë origjinalitetin e veshjeve kombëtare dhe ripërdorimin e materialeve të tyre

Ekspozitë e konceptit më ndryshe në skenën artistike është hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Shtatë vepra artistike janë formësuar prej pëlhurave të zhgunit dhe shojës. Në vete, vetë materiali është baza e veshjeve kombëtare. Megjithatë ndërlidhja më e thellë e tyre me koleksionin “Resilience” të Ariana Gjonit janë dekoret me sumbulla. Kreacionet ngjajnë në versionet moderne të veshjeve të dikurshme. Të vjetra për disa dekada pëlhurat natyrale konsiderohen si materialet e fundit të mbetura si produkte të përfituara nëpërmjet teknikave tradicionale. Veprat e profesoreshës së dizajnit janë punuar me teknikën e modelimit “draping” dhe atë të realizimit – zero mbetje.

Muzeu Kombëtar i Kosovës të premten mbrëma ka pritur më shumë vizitorë se zakonisht. Në “Resilience” pëlhurat e prodhuara gati pesë dekada më parë me teknikën e vegut pasqyrojnë drejtpërdrejt temën dhe qëllimin e saj. Ato shpalosen si manifestimi më i fuqishëm i traditës së kulturës shqiptare. Në sqarimin për emërtimin e ekspozitës së modës, autorja e veprave ka shkruar se në art, termi “Resiliencë” është aftësia e një vepre arti që nëpërmjet estetikës të ruajë veçantinë e saj, duke e dalluar nga një objekt tjetër, pavarësisht subjektivizmit në rritje të prodhimit të veprave. Në përditshmëri, ajo është aftësia për t’u rikuperuar nga fatkeqësitë dhe që të dyja konceptet përkojnë me misionin e veprave të Gjonit – ruajtja e origjinalitetit të veshjeve kombëtare tradicionale dhe ripërdorimi i materialeve të tyre duke mos humbur asnjë pjesë nga to.