Përse kryetari i Akademisë provokon shumicën e popullit?

Në majin e vitit 1988, isha në Tiranë për herë të parë me ftesë së Akademisë së Shkencave për një bashkëpunim me Enciklopedinë e Madhe Arabe me seli në Damask. Akademia e Shkencave e kishte atëherë njësinë për enciklopedi dhe kishte nxjerrë më 1985, Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Në Damask më kishte ftuar kryetari i Bordit të Enciklopedisë së Madhe Arabe, e cila do të ishte projekti më i madh arab me 30 vëllime, për të bashkëpunuar duke mbuluar zërat nga Ballkani që do të ishin me interes. Në krye të këtyre zërave ishin dy kryesorë (shqiptarët dhe Shqipëria) që do të hynin në vëllimin e parë sipas rendit alfabetik. Mu për këtë, vizita në Tiranë kishte për qëllim këmbimin e përvojave dhe sigurimin e burimeve për zërat që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe me shqiptarët.
Në majin e vitit 1988, isha në Tiranë për herë të parë me ftesë së Akademisë së Shkencave për një bashkëpunim me Enciklopedinë e Madhe Arabe me seli në Damask. Akademia e Shkencave e kishte atëherë njësinë për enciklopedi dhe kishte nxjerrë më 1985, Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Në Damask më kishte ftuar kryetari i Bordit të Enciklopedisë së Madhe Arabe, e cila do të ishte projekti më i madh arab me 30 vëllime, për të bashkëpunuar duke mbuluar zërat nga Ballkani që do të ishin me interes. Në krye të këtyre zërave ishin dy kryesorë (shqiptarët dhe Shqipëria) që do të hynin në vëllimin e parë sipas rendit alfabetik. Mu për këtë, vizita në Tiranë kishte për qëllim këmbimin e përvojave dhe sigurimin e burimeve për zërat që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe me shqiptarët.
Si vizitë e parë në Shqipëri – për të cilën kemi pasur një imazh tjetër fare në Kosovë – kam përjetuar shumë befasi e provokime. Ndonëse vizita ka filluar me një pritje të përzemërt nga Luan Omari, duke përshëndetur nismën për bashkëpunim, më vonë një përgjegjës më tha: “Muhamed, pse ti lodhësh për ato zëra (shqiptarët e Shqipëria), ne mund t’i përgatisim për ty e ti i përkthen në arabisht!” Kuptohet, një ofertë e tillë do të sillte për Enciklopedinë e Madhe Arabe një version të ngjashëm me atë të botuar në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”. Natyrisht, iu falënderova për ofertë dhe i tregova se për Enciklopedi kemi kritere të tjera. Një ditë tjetër m’u afrua një dorëshkrim i panjohur i Fan Nolit për profetin Muhamed. Në hotel e kam lexuar me befasi, në saj të imazhit që e kemi për Nolin, sepse ishte një shkrim poshtërues për myslimanët në mungesë të qasjes shkencore. Kuptohet, atë shkrim e mora më vonë me vete në Prishtinë, por kurrë nuk iu ofrova kolegëve orientalistë, sepse botimi i tij do të ishte dëshpërues, së paku për një pjesë të shqiptarëve në kohën kur shqiptarët e Kosovës atëherë kishin më shumë nevojë për unitet dhe solidaritet.
Mirëpo, më vonë dikush tjetër u nxit dhe e botoi atë më 1993 në gazetën “Demokracia autentike” që e kishte nxjerrë atëherë Ukshin Hoti, që meriton tani të shënohet 80-vjetori i lindjes. Mirëpo, artikulli bëri më shumë bujë kur u ribotua më vonë në gazetën “Bujku” (që e zëvendësonte “Rilindjen” e uzurpuar) më 9.5.1995. Fakti që artikulli u botua në prag të Bajramit, që ka domethënien e vet për shumicën e popullsisë myslimane, e bëri që ai të dëshpërojë shumë njerëz në kohë më kritike për Kosovën, kur shqiptarët kishin më shumë nevojë për unitet dhe solidaritet. Kështu, prof.dr. Feti Mehdiu e botoi në “Bujku” më 29.5.1992 artikullin me titull: “Një artikull që nuk i bën nder askujt”. Kuptohet, artikulli bëri jehonë e sidomos kur u ribotua në revistën e Bashkësisë Islame të Kosovës (“Edukata Islame” 67-68, Prishtinë 1995).
Për fat të mirë kemi pasur atëherë intelektualë si Ukshin Hoti që vërejti menjëherë dëmin që e shkaktoi artikulli, ndaj në takim me autorin (Feti Mehdiun) e pranoi gabimin dhe mori përgjegjësinë që nuk e kishte lexuar atë para botimit.
Vërtetë, botimi i artikullit të Nolit erdhi në kuadër të një euforie të një elite (që e quante veten “laike”) për “kthimin e shqiptarëve në fenë e vjetër”. Mirëpo, ato shkrime që u botuan me atë frymë sollën efektin e kundërt te shumica myslimane në Kosovë, sidomos ku përcollën ç’ndodhte në Bosnjë kundër boshnjakëve. Atëherë, propaganda serbe në krye me orientalistin serb Miroljub Jevtiq doli me tezë se boshnjakët që e pranuan islamin nën sundimin osman e “tradhtuan” bashkëkombësit e tyre dhe në çdo moment mund t'i tradhtojnë përsëri, kështu që tani edhe stërnipat e tyre mbeten “fajtorë” për “fajin” e stërgjyshërve! Për fat të keq, kjo u bë sfond për arsyetimin e masakrave kundër boshnjakëve, që ishin populli më tolerant në ish-Jugosllavi në raport me martesat e përziera.
Tani, me “trajtesën” e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Mehmet Kraja dhe me insistimin e tij që ajo të paraqitet në sajtin e Akademisë, kemi një provokim tjetër për shumicën myslimane në Kosovë që do të bënte pasoja të kundërta. Kështu, kur Bashkësia Islame e Kosovës bënte manifestime e konferenca shkencore me rastin e 600-vjetorit të ardhjes së Islamit në mesin e shqiptarëve, del tani një imazh tjetërfare i islamizimit të shqiptarëve gjatë sundimit osman në emër të Akademisë. Reagimi i shpejtë dhe i ashpër i kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, ishte vetëm momental që e kërkonte funksioni i tij, por dëshpërimi është i thellë dhe i vazhdueshëm në masë që mund të përmblidhet në këtë pyetje: Deri kur do të fajësohen myslimanët e tashëm në Kosovë, që mburren me fenë sikurse me kombësinë, për “fajin” e stërgjyshërve të tyre që e pranuan islamin para disa shekujve?
Sikurse më 1995, kjo “trajtesë’ e akad. Mehmet Kraja vjen në kohën delikate kur Kosova ka sfida serioze dhe pasoja nga fushata agresive serbe për tërheqjen e njohjeve të Republikës së Kosovës. Kjo “trajtesë” që transmetohet tani edhe në media të huaja bie në kundërshtim më qëndrimin e qeverive të Kosovës në takimet zyrtare në nivel më te lartë, ku Kosova përmendet si “një shtet me shumicë myslimane”. Vetë ish-presidenti amerikan Trump, në Samitin e Washington më 4 shkurt 2020, e përmendi Kosovën si “shtet mysliman”, duke e lavdëruar për vendimin e saj për ta hapur ambasadën e vet në Jerusalem.
Në këtë kontekst “trajtesa” e akad. Krajës shtron jo vetëm dëshpërimin në mesin e shumicës myslimane në Kosovë, por shtron më shumë pyetje jashtë Kosovës: si mundet një akademi, ose një kryetar i një akademie të fyejë ndjenjat e shumicës myslimane të vendit? Kosova prej Pavarësisë mburret me Kushtetutën e vet si shtet laik ose sekular, edhe pse me shumicë myslimane. Mirëpo, nuk është e qartë si e kupton akad. Kraja laicizmin ose sekularizmin (pasi që të dyja përmenden në Kushtetutën e Kosovës), sepse këtu në SHBA fyerja e besimtarëve është diçka që nuk falet. A mundet këtu një qytetar i thjeshtë, e jo kryetar i një akademie, t'i përkujtojë hespanët amerikanë se si u përhap katolicizmi në vendet e tyre gjatë pushtimit spanjoll?
Për fat të keq na mungojnë tani intelektualë si Ukshin Hoti. Mirëpo, në këtë rast nuk mjafton vetëm që akad. Kraja të pranojë gabimin si Ukshin Hoti për atë shkrim të botuar të Nolit, por do të ishte më mirë, për hir të Akademisë, që të tërhiqet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.