Shtojca për Kulturë

Propozimi “shpëtimtar” i historianit francez për rastin e Kosovës

Pierre Vidal-Naquet (23 korrik 1930 – 29 korrik 2006) largimin e shqiptarëve nga Kosova do ta shpjegonte si rezultat të bombardimeve të NATO-s, e jo me intensifikimin e aktiviteteve të makinerisë ushtarako-policore serbe që merrej me dëbimin e shqiptarëve jashtë Kosovës
 

Historiani i njohur francez, Pierre Vidal-Naquet, më 2 prill 1999, do të shkruante se problemet më të rënda kosovarëve ua kanë krijuar pikërisht bombardimet e NATO-s. Këto konstatime i shoqëronte me shprehjet “zhytje në çmendurinë e plotë” dhe në një situatë “absolutisht dramatike”. Propozimi i tij “shpëtimtar” qe se sikur të shumoheshin vëzhguesit, edhe pa dërgimin e trupave tokësore, do të mund të arrihej zgjidhja. Të gjitha supozimet dhe parashikimet e tij dolën të gabuara

Më 2 prill 1999, Pierre Vidal-Naquet ia dërgoi redaksisë së revistës “Drôle d’époque” përgjigjen ndaj artikullit tim. Në fillim të artikullit ai nënvizon: “Gjithmonë e kam mbrojtur të drejtën e kosovarëve për liri dhe se e kam dënuar shtypjen e serbëve. E njëherësh e kam cekur përgjegjësinë e Millosheviqit, duke thënë se e konsideroj si kriminel. Këtë qëndrim e kam shprehur në paraqitjet e mia publike dhe në artikuj”. Ai shton se një deklaratë të tillë ia kishte dhënë edhe javores “Vreme” të Beogradit. Sa i takon vërejtjes sime për cilësimin e masakrës së Reçakut si një mizanskenë e ngjashme me atë të Timisoarës, ai cek këtu se kur e ka shkruar artikullin e vet, nuk i kishte informatat e duhura lidhur me këtë krim. Në anën tjetër, ai madje cek se supozimin që e kishin bërë, për disa nuk ishte “jolegjitim, ngase jemi brenda një makine ku të gjitha propagandat po bëhen të rënda”. Për ne mbetet pyetja përse një historian i madh e i çmuar nxiton të dalë me supozimin se “ajo që ka ndodhur në Reçak është një inskenim si ai i Timisoarës” pa i pasur informatat e duhura? Pastaj, ai nuk shpreh asnjë keqardhje, pasi u njoftua se çka kishte ndodhur me të vërtetë, se u shërbye me një cilësim të një krimi, i cili i takon regjistrit të propagandave të regjimeve kriminale. Por edhe arsyetimin me datën kur e kishte shkruar artikullin e ka të brishtë, ngase në artikullin tim kam theksuar se Raporti i OSBE-së, i cili iu shpërnda gazetarëve në Vjenë më 21 janar (1999) kishte theksuar karakterin e këtij krimi të kryer nga trupat serbe, e njëherësh se më 27 janar e përditshmja parisiene “Libération”, kishte njoftuar, në sajë të burimeve ndërkombëtare, për realitetin e këtij krimi.

Mirëpo, në vazhdim të artikullit të vet ai thekson se problemi i sotëm kryesor janë “bombardimet e NATO-s”. Dhe se ai ka reaguar menjëherë kundër bombardimeve. Në vazhdim ai zhvillon argumentin e vet kundër bombardimeve, duke cekur një varg vërejtjesh. Vidal-Naquet ka dalë shpesh në skenën publike me intelektualë të tjerë francezë që i takojnë spektrit të rrymave komuniste dhe majtistëve “antiimperialistë” kundër intervenimit të NATO-s.