Shtojca për Kulturë

Monografi elitare dhe kulmore për prozën moderne angleze

“Proza moderne – Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi” plotëson një zbrazëti të madhe në fushën e gjerë e të begatë të studimeve të letërsisë moderne angleze, ndaj do t’i kontribuojë leximit, përhapjes dhe njohjes më të mirë të këtyre autorëve dhe veprave
“Proza moderne – Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi” plotëson një zbrazëti të madhe në fushën e gjerë e të begatë të studimeve të letërsisë moderne angleze, ndaj do t’i kontribuojë leximit, përhapjes dhe njohjes më të mirë të këtyre autorëve dhe veprave
 

S’ka pikë dyshimi që vepra e rrallë shkencore e prof. dr. Muhamet Hamitit, “Proza moderne – Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi” – botoi shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2016 – do t’i pasurojë dhe avancojë idetë, kritikën dhe studimet tona letrare, ngase është hartuar me përkushtim, kompetencë, seriozitet dhe profesionalizëm të lartë

Monografia “Proza moderne – Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi” e prof. dr. Muhamet Hamitit është një libër i rrallë i cili trajton një temë dhe problem tejet interesant dhe aktual, me dobi të shumëfishtë shkencore, akademike dhe filologjike. Ky libër para së gjithash është me interes dhe i dobishëm për studentët, studiuesit, intelektualët dhe dashamirët e gjuhës, letërsisë dhe kulturës, në përgjithësi dhe të letërsisë dhe prozës angleze, në veçanti.

Pikërisht këtu konsiston edhe vlera kryesore e këtij studimi, ngase dihet se studime të tilla të mirëfillta dhe gjithëpërfshirëse, të nivelit të lartë akademik dhe shkencor për prozën moderne angleze në gjuhën shqipe janë shkruar fort pak apo pothuajse aspak. Libri i ka 328 faqe, që i paraprin një parathënie dhe hyrje e ngjeshur dhe gjithëpërfshirëse e autorit të monografisë, në të cilën autori, pos tjerash, bën të ditur se libri ka si parabazë studimin “Strategjitë narrative dhe kuptimi në prozën e Konradit dhe Xhojsit”, të cilën e ka mbrojtur si tezë doktorate në vitin 2006. Në themel të vëmendjes së librit të profesor Hamitit është lulëzimi i prozës moderne angleze, gjatë një çerekshekulli, duke u përqendruar në dy autorë të mëdhenj të shekullit XX, Xhozef Konradin dhe Xhejms Xhojsin. Ndërkaq, vlerat, rezultatet dhe të veçantat më kryesore të këtij studimi janë qasja shkencore, analitike dhe sistemuese dhe literatura bashkëkohore, gjë që ka bërë të mundur arritjen deri te informatat e detajuara dhe të vërtetuara dhe analizat dhe rezultatet tejet të nevojshme, të dobishme dhe të jashtëzakonshme mbi prozën moderne angleze të Konradit dhe Xhojsit, të krijuar gjatë një çerek shekulli.