Shtojca për Kulturë

Kërkimi mistik te “Labirinti i Panit”

Pa dyshim, ky film është një vepër magjike ku kuadrot na asociojnë me pikturat e Francisco Goyas, një film i shkëputur nga realiteti ku fantazitë e fëmijërisë zënë vend në vijën narrative, duke mbajtur gjithmonë në mend të rriturit
 

“Labirinti i Panit” është një film i mahnitshëm dhe që shtyn për të menduar, duke lënë një ndikim të qëndrueshëm tek audiencat e tij. Ai sfidon shikuesit të reflektojnë mbi fuqinë e imagjinatës, në brishtësinë e pafajësisë dhe forcën e shpirtit njerëzor përballë sfidave. Me rrëfimin e tij, Del Torro magjeps e filmi shërben si një dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të kinemasë

Guillermo Del Toro, gjeniu meksikan i kinematografisë, pa dyshim një ndër eksponentët e kinematografisë moderne dhe njëkohësisht një reformator i fabulës në filmat fantastikë, triumfoi edhe kësaj radhe me një projekt nga filmat më të mirë të prodhuar viteve të fundit.

Filmi me titull “Pan’s Labyrinth” (Labirinti i Panit), sipas regjisorit, është i ndarë në dy vija historie paralele, në mes të botës reale dhe asaj fantastike, të cilat ndërlidhen ngushtë me ngjarjet e fundit të vitit 1944, kur shteti spanjoll përballej me luftën civile dhe regjimin fashist të drejtuar nga gjenerali Franco. Ky film është një amalgamë e fantazisë dhe faktit, artit dhe politikës, por mbi të gjitha kinematografia është në formën më të lartë.