Shtojca për Kulturë

Shehiq: Në Jugosllavi s’e njohëm njëri-tjetrin derisa shpërtheu lufta

Faruk Shehiq: “Mendoj se leximi është utopia e fundit. Nëse është letërsi e mirë mund t’ju çojë në një botë më të mirë. Mund t’ju ndihmojë të krijoni një botë të re në kokën tuaj dhe nganjëherë edhe mund të strehoheni aty për një kohë
 

“Problemi në ish-Jugosllavi ishte se ne nuk e njihnim njëri-tjetrin. Ishte statusi politik që ne duhej të njihnim njëri-tjetrin me forcë dhe natyrisht njerëzit në jetën reale gjithmonë krijojnë lidhje pa urdhra. Ne nuk e njohëm njëri-tjetrin derisa shpërtheu lufta”, thotë shkrimtari Faruk Shehiq nga Bosnjë-Hercegovina në një intervistë për “KOHËN Ditore”. Letërsia si mundësi për krijimin e një bote të re, leximi si utopi e fundit, janë disa prej temave që prek ai tok me kujtimet për luftën, kur si 22-vjeçar kapi armën. Lufta për të është “ngjarje e panevojshme historike”, por ajo nuk ishte e kotë dhe ka një arsye për këtë. Fituesi i disa çmimeve letrare, si ai i BE-së për Letërsi më 2013, flet edhe për politikën, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e quan “Republika Srpska 2.0” teksa shovinizmi serb, sipas tij, nuk fashitet dot

Për shkrimtarin Faruk Shehiq, letërsia e ka fuqinë të krijojë botë të re, ku lexuesi mund të strehohet për një kohë. Leximin e cilëson të fundit utopi, por kur kundrohet rrugëtimi i tij, letërsia si strehë, merr edhe një tjetër kuptim. Qe lufta ajo që e lidhi në njëfarë forme me të shkruarit, ishte 22-vjeç kur prej Zagrebit, ku po studionte krejt diçka tjetër, ia behu në atdheun e tij dhe rroku armët. Letërsia erdhi më pas. Po ajo e solli edhe në Kosovë, në fund të majit, në edicionin e 13-të të festivalit të letërsisë “Polip”, kur dha intervistën për “KOHËN Ditore”. Shehiq (53), njëri prej shkrimtarëve më në zë të gjeneratës së tij, zëri i së ashtuquajturës gjeneratë e shtypur, flet ndër të tjera edhe për “luftën si ngjarje e panevojshme historike”, por e cila “nuk ishte e kotë, sepse mbijetuam”, për shqiptarët dhe paragjykimet për ta.

“Problemi në ish-Jugosllavi ishte se ne nuk e njihnim njëri-tjetrin. Ishte statusi politik që ne duhej të njihnim njëri-tjetrin me forcë dhe natyrisht njerëzit në jetën reale gjithmonë krijojnë lidhje pa urdhra. Ne nuk e njohëm njëri-tjetrin derisa shpërtheu lufta”, thotë Shehiq, autor i mbi dhjetë veprave letrare, përkthyer në mbi 15 gjuhë, ndër të cilat edhe në shqip. Fituesi i disa çmimeve letrare, si ai i BE-së për Letërsi më 2013, flet edhe për politikën, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e quan “Republika Srpska 2.0” teksa shovinizmi serb, sipas tij, nuk fashitet dot.