Shtojca për Kulturë

Shfaqja e Kosovës që trazoi nacionalistët serbë, me dy çmime në Mal të Zi

Skenë nga shfaqja “The Handke Project”
 

Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) shfaqjen “The Handke Project” e ka vlerësuar si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet. E ka shpallur më të mirën e Festivalit. Shfaqja që nga mediat nacionaliste është quajtur edhe si “sulm terrorist” ka marrë edhe Çmimin për aktorin më të mirë. Ai i ta takuar Arben Bajraktarajt. “Për më tepër, këto çmime të dhëna në Podgoricë e zgjerojnë përpjekjen tonë dhe të plot të tjerëve për t’iu kundërvënë fashizmit, atij të Handkes të konvertuar në ‘letra artistike’, por edhe këtij të shprehur nga mediat proqeveritare serbe, që janë ‘dezhurni’ sa herë kjo shfaqje u bie në ‘radar’”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj

Pas krejt pluhurit të çuar nga mediat nacionaliste serbe, profesionistët e teatrit ia kanë dhënë Çmimin e shfaqjes më të mirë “The Handke Project”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) e ka vlerësuar shfaqjen si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet. E “The Handke Project” jo veç që pyet, por edhe shpërfaq hipokrizinë e krijuesve dhe institucioneve deri te ato ndërkombëtare sa i përket pozicionimit të intelektualëve karshi pushteteve totalitare e gjenocidale. Pos kësaj, Çmimi aktori më i mirë i ka takuar aktorit nga Kosova me karrierë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj.

“Kjo shfaqje është një përballje e dhimbshme me enigmën shekullore të pozicionimit të krijuesve dhe intelektualëve kundër pushtetit – duke vënë në dukje përgjegjësinë problematike të intelektualëve. Projekti ‘Handke’ është e kundërta e paradigmës. Ansambli i shfaqjes i drejtuar nga Blerta Rrustemi-Neziraj krijoi një shfaqje që është një mozaik skëterrë, që na lë të habitur”, shkruhet në arsyetimin e jurisë së Festivalit në përbërje të shkrimtarit dhe drejtorit të Teatrit të Qytetit të Podgoricës, Stevan Koprivica (kryetar), dhe anëtarëve Jelena Miniq, aktore e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, dhe Edin Jasharoviq, producent dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinjë.