Shtojca për Kulturë

“Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë” – dashuri përtej besimit

Përfshirja e të gjitha segmenteve, qoftë fetare, tradicionale e të kanunit, analiza e të gjitha elementeve i jep monografisë “Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë” dimension analitik
 

Studimi monografik “Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë” i autores Angjelina Hamza-Hasanaj është një kontribut i çmuar për albanologjinë, duke pasur parasysh se është studimi i parë në këtë përmasë për sa u përket martesave të përziera te shqiptarët në Kosovë. Pa dyshim që kjo monografi do t’u hapë rrugë studimeve të mëtejme rreth martesave ndërfetare. Shfrytëzimi i literaturës që i përket fenomenit të martesave të përziera, hulumtimi dhe bashkëbisedimi me subjektet gjithandej Kosovës, përmes të cilëve ajo sjell gjithë këtë fenomen, e bëjnë të kompletuar dhe të rëndësishme këtë monografi për kulturën tonë

Botimi monografik “Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë” i autores Angjelina Hamza-Hasanaj, është libri i saj i parë që vjen si rezultat i punës hulumtuese disavjeçare të saj për një temë të veçantë, siç janë martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë. Kjo monografi është botim i veçantë i Degës së Etnologjisë të Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Në këtë monografi autorja Hamza-Hasanaj trajton dukurinë e martesave ndërfetare te shqiptarët në Kosovë. Studimi është i strukturuar në katër kapituj, që janë: 1. Mbi martesën; 2. Martesa te shqiptarët e Kosovës; 3. Martesat fetare; 4. Martesat e përziera ndëretnike. Kapitujve u paraprin parathënia, vazhdon hyrja, dhe përmbyllet me përfundimin dhe literaturën e shfrytëzuar.