Buzëqeshja jote

Merrma bukën po deshe,
merrma ajrin, por
mos ma merr buzëqeshjen tënde.
Mos ma merr trëndafilin,
lulen si heshtë që e shkule,
ujin që shpërthen
befas në gëzimin tënd,
dallgë e papritur bimësh
që të lindi ty.
E ashpër është lufta ime dhe nganjëherë
kthehem në shtëpi me sy të lodhur,
pasi kam parë
se bota nuk po ndryshon,
por kur vë këmbën në prag
buzëqeshja jote ngjitet në qiell,
më puth dhe të gjitha portat e jetës
m’i hap.
Dashuria ime, në orën e errët
buzëqeshja jote pluskoftë
dhe nëse papritur të bie në sy
se gjaku im njollos
gurët e rrugës,
atëherë buzëqesh, sepse buzëqeshja jote
për duart e mia do të jetë
si shpatë e re.
Pranë detit në vjeshtë
buzëqeshja jote
duhet t’i ngre në lartësi
kaskadat e tij shkumëzuese
dhe në pranverë, e dashur,
e dua buzëqeshjen tënde
si lulja që e kam pritur,
lulja e kaltër, si trëndafili
i vendit tim që jehon.
Qesh me natën,
ditën, hënën,
qesh me rrugët
plot kthesa të ishullit,
qesh me djaloshin e plogët
që ty të dashuron,
por kur hap dhe mbyll sytë,
kur hapat e mi shkojnë
dhe kur hapat e mi kthehen,
mohoma bukën, ajrin,
dritën dhe pranverën,
por kurrë buzëqeshjen tënde,
përndryshe do të duhej të vdisja.
Armiqtë
Erdhën dhe i sollën pushkët e mbushura me barut,
urdhëruan shfarosjen e tmerrshme,
gjetën një popull i cili këndonte,
një popull të bashkuar në detyrë dhe dashuri,
dhe vashën e hollë, ajo ra me flamurin e saj,
dhe djaloshi i buzëqeshur ra përdhe në krah të saj,
i plagosur, dhe populli me gjithë tmerr i pa të vdekurit
duke u rrëzuar me zemërim e dhembje.
Pastaj në vendin ku ranë të vrarët,
u shpalosën flamujt për t’u njomur me gjak,
për të valuar sërish para syve të vrasësve.
Në emër të këtyre të vdekurve, të vdekurve tanë,
kërkoj dënim.
Për ata që tokën e atdheut me gjak njollosën,
kërkoj dënim.
Për xhelatin që këto vdekje urdhëroi,
kërkoj dënim.
Për tradhtarin që erdhi në pushtet nëpërmjet këtij krimi,
kërkoj dënim.
Për atë që dha urdhrin për vrasje,
kërkoj dënim.
Për të gjithë juve që e mbroni këtë krim,
kërkoj dënim.
Nuk dua që ata të ma japin dorën
e lagur nga gjaku ynë.
Kërkoj dënim.
Nuk dua t’i shoh si të dërguar në legata,
as të qetë në shtëpitë e tyre,
këtu dua t’i shoh, të gjykuar,
në këtë shtet, në këtë vend.
Dua dënim.
Përktheu: Enver Robelli
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.