“Anija e shpresës” e Pablo Nerudas që shpëtoi refugjatë

Në janarin e 1939-s, pas një lufte shkatërrimtare civile që zgjati rreth tre vjet e gjysmë, Francisco Franco mposhti Ushtrinë Republikane të Spanjës në Barcelonë, duke vënë një diktaturë që do të zgjaste për gati një gjysmë shekulli dhe do të zhvendoste qindra mijëra ushtarë, aktivistë dhe përkrahës republikanë. Shumica u arratisën në anën tjetër të Pirinejeve, për të gjetur strehim në Francë. Duke menduar se i kishin shpëtuar më të keqes, ata do ta gjenin veten prapa telave gjemborë, nëpër kampe përqendrimi si “Argeles-sur-Mer”, “gati të vdekur nga i ftohti dhe uria”.
Ndonëse bota në përgjithësi nuk do t’ua vinte veshin të zhvendosurve të Spanjës, njëjtë siç kishte vepruar edhe me vetë luftën, diplomati dhe poeti kilian, Pablo Neruda, do të lobonte për t’i shpëtuar mbi 2000 refugjatë, sa i zinte një anije transportuese nëntëtonëshe e quajtur “Winnipeg”. Ky akt humanist i Nerudës ta ndërmend Oskar Schindlerin dhe është temë e rrëfimit të veprës së 17-të të Isabel Allendes, “A Long Petal of the Sea”. Allende, siç mësojmë prej shënimit të saj në fillim të librit, kishte dëgjuar për “anijen e shpresës” së Nerudës gjatë fëmijërisë, duke iu gdhendur në kujtesë para më shumë se katërdhjetë vjetësh. Tani, përmes ndërthurjes mjeshtërore të elementeve faktike dhe fiktive, ajo sjell një prej portretizimeve më imagjinative të Luftës Civile Spanjolle dhe një prej veprave më të forta dhe më me ndikim të karrierës së saj. Duke u shtrirë nëpër breza dhe kontinente, vepra përcjell rrugëtimin e paharrueshëm të dy personave, të cilëve u ishte mundësuar hyrja në “Winnipeg”: Victor Dalmau, mjek ndihmës gjatë luftës, dhe Roser Bruguera, e re shtatzënë me fëmijën e vëllait të Victorit, Guillemit, i zhdukur gjatë luftës. Si konsull special për emigrimin spanjoll, Nerudës i ishte caktuar detyra e përzgjedhjes së kandidatëve, duke refuzuar si radikalët, ashtu edhe ata të ngarkuar politikisht apo me bagazh intelektual. Dhembshuria e tij megjithatë, do të bëhej faktor vendimtar dhe ai do t’ua jepte bekimin e papritur Victorit dhe Roserit, të cilët do t’i bënin përshtypje poetit me vetëmohim dhe përkushtim për ta shpëtuar fëmijën. Victori dhe Roseri martohen, lidhje kjo që nuk ka të bëjë aspak me dashurinë sentimentale, por me diçka më konkrete. Teksa ata nisin nga e para jetën në Santiago të Kilit, partneriteti i tyre kthehet në miqësi të thellë dhe në simbiozë emocionale. Vetëm të bashkuar ata e kuptojnë se çfarë kanë humbur dhe e gjejnë fuqinë për të vazhduar përpara.
