“Hawolf” është një grup me bazë në Prishtinë, i përbërë prej katër vëllezërve Havolli – Granit Havolli në vokal dhe kitarë, Yll Havolli në kitarë kryesore, Ylber Havolli në kitarë bas dhe Lum Havolli në bateri
“Ear for Peace” është një dëshmi e talentit dhe krijimtarisë së “Hawolf”. Pjekuria artistike e grupit është e dukshme në çdo këngë në album dhe përzierja e anëtareve ndër breza shton një shtresë shtesë thellësie dhe kompleksiteti në muzikën e tyre. Me këtë album dhe përvojën në skenë, “Hawolf” ka treguar se skena e muzikës alternative në Kosovë po kthehet seriozisht dhe ka potencial për të prodhuar më tutje produkt serioz muzikor bashkëkohor në skenën e muzikës alternative
Hyrje: Njëvjetori i “Ear for Peace” me shkas
Në javën e njëvjetorit të albumit debutues të grupit “Hawolf” me emrin “Ear for Peace” u rikthejmë vëmendjen te një grup i veçantë dhe i ri i skenës tonë alternative dhe te një album muzikor i cili vlen të rishikohet dhe dëgjohet përsëri me shkas edhe në këtë njëvjetor.
Skena e muzikës rock/metal/alternativ/jazz ka pasur një ngritje të dukshme dhe rikthim shumë të fuqishëm në dy vjetër e fundit dhe vazhdon të sjellë ngjarje, koncerte, artistë, grupe dhe gjenerata të reja te vlerat e muzikës kosovare e cila sidomos që dy dekadat e fundit ka sjellë punë të larmishme muzikore dhe të pasura me material me vlera moderne muzikore.
“Hawolf” si grup muzikor
“Hawolf” është një grup me bazë në Prishtinë, i përbërë prej katër vëllezërve Havolli – Granit Havolli në vokal dhe kitarë, Yll Havolli në kitarë kryesore, Ylber Havolli në kitarë bas dhe Lum Havolli në bateri.
Këta katër muzicientë kanë qenë të pranishëm në skenën muzikore në Kosovë për më shumë se 20 vjet, duke përfshirë punë serioze muzikore në kompozim, produksion dhe interpretim të zhanreve alternative rock, metal, alternative rock, indie rock e të tjera, me disa nga grupet më të rëndësishme të muzikës underground në skenën e muzikës alternative në Kosovë. Për t’i përmendur disa prej tyre anëtarët e “Hawolf” ishin/janë pjesë e bendeve muzikore: “Gillespie”, “Madgod”, “Frisson”, “Sytë”, “Me T’Njofshëm”, “Toxin”, “Milksnatchers”, “The Glasses” e të tjerë, të gjitha këto bende në të cilat ata kanë kontribuar gjatë njëzet vjetëve të fundit dhe vazhdojnë të kontribuojnë paralel me grupin “Hawolf”. Një aktivitet i tillë tregon për një diversitet stilistik shprehës, një kombinim i përvojave të ndryshme muzikore/skenike dhe për një përvojë në llojet e ndryshme të muzikës në skenën alternative muzikore në Kosovë, e cila padyshim dhe ka efekt në mënyrën se si anëtarët e “Hawolf” përgatiten, mendojnë dhe veprojnë brenda platformës së tyre kreative.
“Ear for Peace”, që këtë javë shënon njëvjetorin e lansimit, tregon se “Hawolf” i ka të gjitha elementet për të nisur një karrierë shumë serioze. Anëtarët kanë më shumë se 20 vjet përvojë të kombinuar në të gjitha fushat që janë të nevojshme, përfshirë prodhimin dhe sensin e promovimit profesional për punën e tyre
Albumi debutues “Ear for Peace”
Albumi debutues i kuartetit “Ear fo Peace” u publikua në një koncert promovues në qendrën alternative të kulturës “Defy Them” në Prishtinë, me shtatë këngë – “Nothing is Lost”, “Fight”, “Maze”, “Beautiful Mystery”, “Came to Burn”, “Ear for Peace” dhe “Song of the Brave”.
Emri “Ear for Peace” vjen si koncept i kundërt dhe njëkohësisht emërtim i kundërt i inspiruar nga kënga e njohur e grupit të groove-metal “Pantera” me emrin “Mouth for War”. Emri ka përkthimin fjalë për fjalë “Gojë për luftë” apo e interpretuar si “gjuhë/mendësi lufte”. Pra, në vend të një “Goje për luftë, apo gjuhë/mendje lufte” një “Vesh për paqe”, si lloj shembulli bashkëkohor i paqes përmes muzikës. Kjo qasje e përshkon të gjithë iniciativën e grupit rreth qëllimit që e ka në album e cila po ashtu vërehet në aspektin lirik dhe të tekst-shkrimit.
Albumi nga aspekti stilistik është një përzierje e groove metal, grunge, funk/metal, alternative, të gjitha të mbështjella në një miks specifik me një energji të fortë që do ta prisnit nga anëtarët e skenës underground të Prishtinës. Një përzierje stilistike që përkujton shumë nga albumet e reja të 4-5 vjetëve të fundit me prirje të një lloj metal/grunge post-modern pa ndonjë qendër fikse stilistike, një paralele që mund të tërhiqej te grupet si “Mastodon” e të tjera. Tingulli i përgjithshëm që ne dëgjojmë muzikalisht dhe si produksion, është një përpjekje kolektive për të prodhuar një album metal të mirëmenduar post-modern që balancon këto zhanre së bashku, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për këngëtarin, pjesët instrumentale dhe mbi të gjitha për këngëshkruarje, një element që ndonjëherë mungon në underground.
“Ear for Peace” tregon se “Hawolf” i ka të gjitha elementet për të nisur një karrierë shumë serioze në këtë zhanër. Ata kanë më shumë se 20 vjet përvojë të kombinuar në të gjitha fushat që janë të nevojshme, përfshirë prodhimin dhe sensin e promovimit profesional për punën e tyre. Albumi, së bashku me shumë iniciativa të reja në skenë, tregon kapacitetin dhe tregon qartë se skena e muzikës alternative në Kosovë po kthehet seriozisht.
“Hawolf” si shembull i kombinimit të muzicientëve dhe influencave ndërgjeneracionale
Kuarteti është gjithashtu shumë i veçantë për shkak të përzierjes së tij ndër breza. Yll Havolli është më i vjetri duke qenë pjesë e skenës së menjëhershme të fundit të viteve '90 dhe të pasluftës në Kosovë, Graniti dhe Ylberi si pjesë e skenës së paspavarësisë 2008, e në vazhdim dhe Lumi si pjesë e valës së tretë të pasluftës në të fundit dekadë apo më shumë.
“Ear for Peace” është një dëshmi e talentit dhe krijimtarisë së “Hawolf”. Pjekuria e tyre artistike është e dukshme në çdo këngë në album, dhe përzierja e tyre ndër breza shton një shtresë shtesë thellësie dhe kompleksiteti në muzikën e tyre. Me këtë album dhe përvojën e tyre në skenë, “Hawolf” ka treguar se skena e muzikës alternative në Kosovë po kthehet seriozisht dhe ka potencial për të prodhuar më tutje produkt serioz muzikor bashkëkohor në skenën e muzikës alternative.
“Hawolf” aktualisht është në përgatitje të materialit të ri muzikor për albumin e ri, arsye më shumë për të gjithë fansat e muzikës urbane të Kosovës për ta rivizituar albumin e parë para se të kemi materialin e ri të albumit të dytë.
Prof. assist. dr. Liburn Jupolli është kompozitor, pianist, profesor i kompozimit dhe inovacionit muzikor në UBT