Shtojca për Kulturë

Kosova përmes Franz Babingerit: Çfarë u tha dhe çfarë mbeti për t’u kuptuar?

Peja në një kartolinë të vitit 1929
 

Prishtina, e cila numëronte dy bujtina: “Internacional” dhe “Imperial”, ishte sipas Franz Babingerit, pikënisje e shkëlqyeshme për vizitë në Fushën e Kosovës, e njohur nga beteja e famshme e 1389-s. Jo shumë larg vendit, kishte ndodhur Beteja e Fushë-Kosovës, të cilën profesori e cilëson si betejë mes Sulltan Muratit I dhe serbëve nën udhëheqjen e Llazarit plak, në të cilën vdiqën këta të dy e së bashku me ta humbi edhe liria e serbëve. Si dukej, aspak e papritur për kohën, ngjarje të tilla historike, shumë të nevojshme për propagandën politike të shtetit jugosllav, nuk kishin si të mos silleshin në këtë formë, pavarësisht famës së atij që qëndronte pas makinës së shkrimit. Babingeri në vizitën e radhës më 1929

Jemi në vitin 1929. Është vizita e radhës e Franz Babingerit nëpër Ballkan, i cili orvatet për të mbledhur dorëshkrime osmane. Deri tani kishte bërë një punë të mirë, duke marrë qindra të tilla, sidomos në Bosnjë. Akademia Jugosllave e cila e kishte angazhuar këtë të fundit për shërbimin, kujdesej që profesori bavarez të paguhej në kohë e të kishte lejet e kalimit që i nevojiteshin. Ofrimi i kushteve komode për kryerjen e punës qe një prioritet, meqë reputacioni i tij kalonte kufijtë e njohjes së zakonshme të një studiuesi nga bota akademike. Por, natyrisht që gjithë ky projekt nuk kaloi pa incidente dhe pakënaqësi. Ankesat për të do të kumbonin në zyrat e Akademisë në Zagreb, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, tri dekada pasi kishte kryer punën. Nuk është për t’u habitur aspak kur njohim karakterin e Franz Babingerit. Ai si dukej, arrinte të bashkonte miqtë e armiqtë në një pikë të veçantë: të gjithë pajtoheshin për karakterin e tij impulsiv.

Energjik si personalitet, Babinger nuk do të mjaftohej me pagën e ndarë nga Akademia për punën e tij në terren, që si dukej, e bënte me shumë kënaqësi. Ai kishte përfunduar shkrimet e tij për Shqipërinë, si në gazeta ashtu dhe për “Baedeker”. Kishte shkruar edhe një artikull për Gjakovën dhe familjen Kryeziu, ndërsa tani kishte gjetur edhe një shtëpi botuese, të cilës do t'i ofronte udhëpërshkrimet për të ashtuquajturën Serbi Jugore, që atëbotë përfshinte ndër të tjerash edhe territorin e sotëm të Kosovës. Tani do shkruante për “Jugoslovenski Turizam”, organ propagandistik i Turizmit në Mbretërinë Jugosllave.