Shtojca për Kulturë

Mbi identitetin kombëtar, zanafillën, zhvillimin dhe shpërfaqjen e tij

Duke mos e hedhur poshtë krejtësisht natyrën moderne të kombeve dhe nacionalizmit, Smithi, në këtë libër, argumenton, se disa elementë të ngjashëm me ato që gjenden në kombet moderne mund të gjurmohen në kohët paramoderne, duke përfshirë qytetërimet e lashta
 

Recension i librit “Identiteti kombëtar” nga Anthony D. Smith, “Cunues”, Prishtinë, 2023, përkthyer nga Greta Avdyli

Ende e mbaj mend mirë herën e parë kur hasa librin e Anthony Smithit mbi identitetin kombëtar, gjatë studimeve të mia në vitet 1990. Padyshim qe shkruar në anglisht, por kur e pata lexuar më pati mahnitur mënyra se si Smithi e shpjegon origjinën, shkaqet dhe ndikimin e identitetit kombëtar si një dukuri shoqërore dhe politike. Ndryshe nga librat dhe studiuesit e tjerë, të cilët kryesisht e shihnin identitetin kombëtar si një mjet politik dhe ideologjik, Smit-i iu afrua më shumë nga një këndvështrim kulturor dhe social. Sipas tij, identiteti kombëtar përfshin elemente të ndryshme si gjuha, emocionet, kujtesa dhe simbolet kolektive. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e të kuptuarit të kontekstit historik dhe bazën etnike të formimit të identitetit kombëtar për të kuptuar rëndësinë e nacionalizmit si një ideologji dhe një lëvizje politike. Në krahasim nga qasja teorike që e sheh kombin si një entitet të qenësishëm dhe të përhershëm, apo qasja që e përcakton kombin si fryt të epokës moderne dhe nacionalizmit, Smithi ofron një këndvështrim teorik alternativ. Ai thekson rëndësinë e lidhjeve farefisnore, kujtesës historike, traditës, miteve të origjinës dhe përkatësive fetare në formësimin e identitetit kombëtar. Kjo qasje, e njohur si “etnosimbolizëm”, nënvizon rolin e etnisë dhe përfaqësimit simbolik në procesin e formimit të identitetit. Kjo qasje u shfaq në rend të parë si kritikë e teorive moderniste dhe primordialiste duke shqyrtuar elementët e përfshirë në formimin e kombit, të cilat ishin anashkaluar ose lënë pas dore në qasjet e mëparshme.

Kështu, duke mos e hedhur poshtë krejtësisht natyrën moderne të kombeve dhe nacionalizmit, Smithi, në këtë libër, argumenton, se disa elementë të ngjashëm me ato që gjenden në kombet moderne mund të gjurmohen në kohët paramoderne, duke përfshirë qytetërimet e lashta. Rrjedhimisht, ai bën dallimin midis llojeve të ndryshme të identiteteve kombëtare, duke i ndarë ato në kombe në bazë të përkatësisë etnike dhe kombe qytetare bazuar në vlerat e përbashkëta. Megjithatë, Smithi nuk e bën këtë kategorizim në mënyrë arbitrare; ai ofron një përshkrim të hollësishëm të procesit kompleks se si formohet, shprehet dhe përforcohet identiteti kombëtar. Si rezultat, qasja e tij është autentike dhe ofron një kuptim gjithëpërfshirës të identitetit kombëtar, si dhe rëndësisë dhe ndikimit të tij në botën e sotme.